Intervistat e trajnerëve, Sadedini: Përgëzoni lojtarët dhe jo mua! Flamurtari është “vitrinë” për ta
Në Superiore janë luajtur tre ndeshjet e para të javës së shtatë të Superiores. Shumë gola të ardhur në ekstrem, atje ku Skënderbeu arriti të fitonte me rezultatin 2-0 ndaj Luftëtarit, Tirana barazoi me shifrat 2-2 në transfertë me Flamurtarin, ndërsa Partizani nuk shkoi më tepër se 1-1 ndaj Teutës. Ndërkohë më poshtë mund të ndiqni edhe gjithë intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Bledi Shkëmbi (Teuta): “Nuk më pëlqeu shumë loja, pasi duhet të ishim më aktiv në fushën e lojës se Partizani. Kishim një lojtar më shumë se ta. Por nuk duhet ta harrojmë se bëhet fjalë për Partizanin. Nga jashtë u duk sikur ishim kënaqur me rezultatin. Kërkuam të merrnim një rezultat më të mirë, megjithëse kjo nuk u vu re në fushën e lojës. E kam vërejtje me lojtarët dhe me veten se nuk duhet të merremi kurrë me arbitrin”.
Ilir Daja (Skënderbeu): “Ajo humbje ndaj Vllaznisë ndikoi që të mos ishim shumë të qartë në fushën e lojës. Por kjo fitore na jep qetësinë. Pastaj erdhi ai dëmtim i Muzakës që do e kemi jashtë për 1 muaj me atë që pamë, megjithëse duhet parë nesër më mirë. Kemi përdorur gjithë potencialin tonë. Ne duhet të jemi me këmbë në tokë dhe po e shohim që nuk ka diferenca mes ekipeve.
Sadedini (Flamurtari): “I përgëzoj djemtë për pikën e marrë. Këto pushime janë në favorin tonë. Po përpiqemi që të ecim para dhe dukej ndryshimi në pjesën e dytë nga skema. Nuk e meritoj unë përgëzimin, por lojtarët. Ata besuan te loja dhe ia arritën. Për këta futbollistë, Flamurtari është një vitrinë për t’u shfaqur. Me këtë pikë ia arritëm qëllimit”.
Lerda(Partizani): “Duhet të përgëzoni lojtarët pasi luajtën për më shumë se 1 orë me 10 futbollistë në fushë. Kemi luajtur më mirë me 10 lojtarë, pasi me 11 nuk arritëm të luanim. Më duhet t’i jap një përgëzim të madh lojtarëve. Këtu jemi për fajin e arbitrave, jo për gabimet tona. (Pyetja nga Supersport se përse hoqi Asanin). Kush po ma bën këtë pyetje, dua ta di se kush ma bën këtë pyetje? Unë zgjodha të mbaja Çinarin dhe të hiqja Asanin pasi më jepte më tepër garanci”, ka thënë i nevrikosur trajneri i të kuqëve, duke dalë disi nga vetja”.
Marantas(Luftëtari): “Nuk jam shumë i kënaqur me rezultatin. I kemi falur kundërshtarit rastet për shënim. Filin e lashë jashtë për arsye taktike. E dimë sesi luan Skënderbeu, me lojtarët që ndërrojnë pozicionet. E kemi studiuar dhe ishim gati për t’i mbyllur çdo hapësirë në fushë. Ne luftojmë gjithmonë për të fituar eksperiencën”.
Ardian Mema(Tirana): “Ndeshja me Partizanin e ka lënë në gjumë ekipin. Kemi falur si gjithmonë. Por të vjen keq sesi të shpëton kjo situatë. Flamurtari shënoi golin me goditjen e parë në portë, madje ishte autogol me Ngo. Lika pati një problem në shpinë dhe u zëvendësua. Do flas me presidentin, pasi kjo situatë është për të folur. Unë mendoj se ne i kemi përgatitur mirë ndeshjet dhe na mungon vetëm qetësia. Ekipi më ndjek përderisa luan mirë. Po të shohësh edhe golat, lojtarët janë afruar te mua”.