Intervista/ “Blerja e re në shtëpinë e futbollit”, flet prezantuesja shqiptare: Më mirë mos më shihni si bëhem për Gjermaninë

Nga Klaudio Ndreca

Me apo pa? Futboll apo “censurim” edhe për orët e vona të transmetimit? Kur bëhet fjalë për prezantimin në Shqipëri dallojmë qartë dëshirën dhe maninë për të kopjuar “modelin italian” mediatik. E me zakonin tonë për t’i “shqiptarizuar” edhe më shumë këto modele, shpeshherë humbasim konceptin e qëllimin që ka një emision në vetvete falë veshjeve që na paraqiten nga prezantueset. A është i përqendruar më shikuesi që të dëgjojë informacione të vlefshme mbi futbollin apo është i përhumbur vetëm për të vështruar, duke mos e pasur aspak vëmendjen mbi përmbajtjen? Një tjetër pyetje që ngre dilema të forta.

Gjithsesi, kjo temë mund të diskutohet në një tjetër shkrim. Këtë herë “Sport Ekspres” ka zgjedhur që të intervistojë prezantuesen e emisionit “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora Neës”, Dorisa Kecani. E ndodhur përkrahë Altin Sulçes që futet tek emrat e vjetër në gazetarinë shqiptare, Dorisa është etiketuar si “blerja e re” e këtij emisioni.

Një afrim që dëshmon diferencën në tregun mediatik sportiv shqiptar në pamje të parë. Veshjet e saj nuk janë kurrsesi të ekzagjeruara, por gjithmonë me finesën dhe elegancën e duhur. Ëmbëlsia që e karakterizon në fytyrë vjen si një “pijë e ftohtë” në studion e ndezur nga temperatura e larta dhe diskutimet e nxehta të Europianit. Këtë verë shtëpitë e plazhit duhet të presin deri në momentin që të lirohen ato të futbollit. Duke ditur më së miri faktin se ka ende për t’u përmirësuar me vazhdimësinë, Dorisa flet për gjithçka sa i përket moderimit të emisionit. Tifoze e cilës skuadër? Gjermanisë! Më mirë mos ta shihni sesi e përjeton.

Dorisa, jemi në kohën e temperaturave të larta dhe Europianit. A është kjo vera më e bukur që po kalon? Pra jo në shtëpinë e plazhit, por në atë të futbollit…

Kjo është një periudhë shumë e bukur për mua. Një sfidë më vete, por sfidë që më ka rritur profesionalisht. Është e vërtetë që nuk jam në shtëpitë e plazhit apo në freskinë e detit, por jam në shtëpinë e madhe “RTV Ora” dhe në adrenalinën e futbollit.

Prezantimi i Sport Magazine përkrah Altin Sulçes. Sa vështirësi, kënaqësi dhe sa e ke dëshiruar ngjitjen në një prej emisioneve sportive më të ndjekura në vend?

Prezantimi i një ndër emisioneve më të rëndësishme dhe më të ndjekura për futbollin në vend, siç është “Sport Magazine”, patjetër që ka përgjegjësi dhe vështirësitë e veta. E sidomos në këtë kohë kur ky Europian po zhvillohet ndryshe nga e zakonshmja. Pra duhet të përmendim faktin se është i shpërndarë në 11 shtete të ndryshme në praninë e tifozëve Është një lajm goxha i mirë për të gjithë ne pas një pandemie të pazakontë që kaloi e gjithë bota. Kjo na la të kuptojmë edhe mesazhin e bukur se po i kthehemi normalitetit. Më përmendët edhe Altin Sulçen, më duhet të them se jam shumë me fat që në moderimin tim të parë të jem pranë Sulçes. Është filozof i sportit dhe kush më mirë se ai mund të më informonte për sportin, duke nisur që nga themeli.

Si ndihesh në një studio që përfshihet nga aq shumë analistë të futbollit? Cilat kanë qenë mendimet e para që të kanë përfshirë kur dëgjoje mbi zbërthimin e analizave taktike dhe sa është përmirësimi i informacioneve mbi futbollin tani?

Ndihem e privilegjuar sigurisht. Dita-ditës po mësoj terma të rinj. Jam gjithmonë shumë e përqendruar në analizat që bëhen dhe i dëgjoj me shumë kureshtje e kënaqësi. Normalisht që përmirësimi po vjen gradualisht, çdo ditë e më mirë.

Ajo që dallojmë në daljet e tua është gjithashtu fakti se nuk zgjedh veshje të ekzagjeruara për eksopozim të tepërt, por finesën që ka gjithmonë bukurinë e veçantë. A është edhe kjo një pikë për të bërë diferencën e tregut?

Është një pikë që bën diferencën, por jo domosdo është primare. Kjo pjesë lidhet me përgjegjësinë që kam ndaj punës, përmbajtjes dhe performancës. Sigurisht që këtu duhet të falënderoj edhe për drejtoreshën e imazhit, Elda Shabanin, që është kujdesur deri në detaje për daljet e mia televizive.

Pamja e jashtme dhe ëmbëlsia në fytyrë. Ka qenë më tepër përparësi për ty apo ka dhënë efektin e kundërt të paragjykimit se një femër e bukur nuk di kurrsesi të mendoj gjatë?

Faleminderit! Por arma ime më e fortë nuk është pamja e jashtme. Është një plus, por arma më e fortë që kam është ambicia dhe durimi për të ecur përpara. Jam këtu pasi kam punuar shumë dhe e doja këtë punë.

Si do ta përshkruaje botën e televizionit në këto vite që je pjesë e tij? Është ai rrugëtimi që ke menduar në një moshë më të vogël?

Kjo është një botë sa e vështirë, aq edhe e bukur. Po në fakt e kam ëndërruar që e vogël dhe them se po ja dal dalëngadalë ta dërgoj deri në fund. Jam 19-vjeçe dhe kam ende shumë për të punuar. (qesh)

Cila është dëshira më e madhe e Dorisës pasi shkallët e suksesit po ngjiten dalëngadalë?

Hmm, kam shumë dëshira, nuk di se kë të veçoj edhe unë tani. Por them me bindje që do të punojë shumë për t’i realizuar.

E për ta mbyllur këtë intervistë, cilën Kombëtare mbështet në Europian dhe sa shumë e përjeton ndeshjen e ekipit të zemrës?

Jam tifozë e zjarrtë e Gjermanisë. Më mirë të mos më shikoni si bëj kur luan, përfshihem më shumë seç duhet. (qesh) /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online