Pas disa vitesh “ftohje”, Milani dhe Interi kanë lënë pas ndasitë dhe janë përfaqësuar si një palë e vetme në bisedimet me bashkinë e Milanos në lidhej me të ardhmen e administrimit të stadiumit “Giuseppe Meazza” i njohur ndryshe si San Siro.
Dy klubet duan që bashkia dhe këshilli komunal t’u japë të drejtën për të marrë në administrim San Siron për 99 vite. Në mediet italiane raportohet se bashkia është pro kësaj nisme të përbashkët dhe marrëveshja mund të miratohet brenda një periudhë 1-vjeçare.
Në rast se plani i propozuar bëhet realitet, drejtuesit e Interit dhe Milanit do të duhen të financojnë në mënyrë të barabartë punimet e rinovimit të unazës së parë të stadiumit dhe të disa objekteve komerciale e një muzeumi brenda stadiumit, të gjitha këto pritet të përfundohen në vitin 2020.