Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino ishte i ftuar në Shtëpinë e Bardhë ku u takua me presidentin e SHBA, Donald Tramp. Infantino shoqërohej nga kreu i Federatës Amerikane të Futbollit, Karlos Kordeiro.
Tema e bisedimeve ka qenë Kupa e Botës 2026, që do të zhvillohet në tre shtete: SHBA, Kanada dhe Meksikë.
“Dëshiroj ta falënderoj që ndodhet sot këtu. Ai është një person shumë i respektuar, i cili ka kryer një punë fantastike. Kupa o Botës 2026 do të jetë një kompeticion i rëndësishëm dhe i veçantë”, u shpreh Tramp për kreun e FIFA-s.
Infantino theksoi faktin që Kupa e Botës është eventi sportiv më i rëndësishëm dhe solli një statistikë të finales së kompeticionit të zhvilluar në Rusi këtë verë. Ndeshja Francë-Kroaci u ndjek nga 1 miliardë njerëz në botë. Mbasi Infantino i dhuroi një bluzë me numrin 26 presidentit amerikan, i shpjegoi dhe rregullat e kartonëve të verdhe dhe të kuq në një ndeshje futbolli. Tramp shfrytëzoi situatën për të bërë “show” me të pranishmit dhe i nxori kartonin e kuq gazetarëve në sallë.