Iliria karikohet me premio, Sala dhe Doçi paralajmërojnë

Fushë-krujasit në shtëpi nuk falin, i kanë fituar të gjitha takimet. Trajneri dhe kapiteni e thonë hapur: Duam ta mundim Tiranën

Bujar Balliu

Në Fushë-Krujë vjen Tirana dhe padyshim që ky është lajmi i ditës në qytetin e vogël, që ndodhet vetëm pak kilometra larg Tiranës dhe fare pranë Krujës. Skuadra e Ilirisë, është një skuadër modeste, objektivi i së cilës është qëndrimin në kategori. Që nga krijimi i saj, 26 vite më parë, kjo skuadër ka luajtur mes dy kategorive, e Parë dhe e Dytë, dhe vetëm në sezonin 94-95 ka qenë për herë të parë dhe të fundit pjesë e Kategorisë Superiore, e quajtur në atë kohë Kategoria e Parë. Ky ekip është drejtuar pothuajse në të gjitha këto vite nga i njëjti trajner, Fatmir Sala, i cili vetëm në periudha të caktuara e ka lënë për disa muaj për ta rimarrë sërish drejtimin e skuadrës. Këtë sezon, ndryshe nga vitet e tjera, Iliria u spostua nga FSHF-ja në grupin B, me pretendimin se nuk mund të jenë pjesë e të njëjtit grup me Kastriotin, pasi Bashkia e Krujës ishte aksionere 100% te Iliria dhe 25% te Kastrioti. Ky sezon në grupin B nisi me përballjen e parë me Tiranën në “Selman Stërmasi”. Iliria i tregoi për herë të parë 24-herë kampionëve të vendit se edhe në Kategorinë e Parë luhet futboll, madje mjaft bukur. Për pak skuadra e Salës gati sa nuk surprizoi kryeqytetasit në fushën e tyre, por sfida u arrit të zhbllokohej vetëm në fundin e saj nga Mauexhe, që i dha fitoren minimale Tiranës. Fushë-krujasit aktualisht renditen në vendin e 6-të dhe kanë arritur 4 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje. Golat e shënuar janë tetë, ndërsa atë pësuar janë shtatë. Deri më tani kjo skuadër është kualifikuar si skuadër fushe, pasi në fushën e saj “Redi Maloku” të gjitha takimet janë fituar. Për një rezultat pozitiv ndaj Tiranës, drejtuesit e skuadrës së Ilirisë, kanë vendosur një premio për skuadrën, por pa e bërë të ditur shumën.

FATMIR SALA

Trajneri i Ilirisë, Fatmir Sala, foli për mediat në prag të përballjes ndaj Tiranës, teksa fillimisht deklaroi: “Tirana është një kundërshtar që të gjithë ia dinë vlerat, por edhe historinë që ka. Ne e presim këtë ndeshje, ashtu si çdo ndeshje tjetër, pavarësisht se është Tirana, skuadra më e titulluar në vend. Ne do mundohemi të bëjmë më të mirën tonë, që në fund të marrim pikë. Duam të ruajmë pathyeshmërinë në fushën tonë. Besoj se ekipi do të paraqitet mirë dhe do të kërkojë fitoren. I pyetur për planet e Iliriësë, Sala thotë: “Aktualisht e gjithë vëmendja jonë është e përqendruar te ndeshja e radhës. Në vazhdim duhet të shohim edhe ndeshjet që zhvillohen përpara merkatos së janarit. Nëse çdo gjë ecën sipas parashikimeve, mund të afrojmë në janar ndonjë element tjetër”.

KAPITENI DOÇI

Mesfushori i Ilirisë, një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, që mban edhe shiritin e kapitenit, Ledio Doçi, në një prononcim për gazetën, u shpreh se e sheh përballjen me Tiranën si njërën nga ndeshjet më të vështira të skuadrës së tij. Sipas Doçit, nëse ndaj disa skuadrave është fituar me mjaft lehtësi, ndaj Tiranës do të jetë mjaft e vështirë, megjithatë Iliria do të bëjë maksimumin për të marrë rezultat pozitiv. “Skuadra është përgatitur gjatë këtyre ditëve për të marrë tri pikët. Jemi të vetëdijshëm që do të jetë mjaft e vështirë ndaj një kundërshtari si Tirana, por ne do të bëjmë detyrën tonë. Kemi vetëm fitore në fushën tonë dhe kjo na jep besim se edhe në këtë ndeshje do arrijmë të marrim maksimumin. Ka ardhur koha që të tregojmë veten. Kemi një ekip të mirë, luajmë në fushën tonë, na mbështet edhe tifozeria, e në këto rrethana duhet vetëm fitorja”, deklaroi Doçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online