Iku adoleshent, Runi drejt kthimit në… Liverpul!

 

Kapiteni i “Djajve të kuq” mund të kthehet te “Karamelet”, por Junajtid do të vazhdojë t’i paguajë gjysmën e rrogës

Mediat britanike kanë bërë me dije se lëvizje të rëndësishme priten këtë javë ose javën e ardhshme tek Mançester Junajtid. Lajmi i parë i rëndësishëm ka të bëjë me të ardhmen e kapitenit Uejn Runi. Të gjitha mediat në ishull kanë lënë të kuptohet se pas 13 vjetësh, Uejn Runi do të lërë “Djajtë e kuq” dhe do t’i bashkohet ish-ekipit të tij, Evertonit. Por mediat në Angli janë të ndara në lidhje me formulën e largimit të Runit nga Junajtid dhe transferimit në “Goodison Park”. Një variant është që Evertoni të blejë kartonin e lojtarit, i cili ka dhe një vit kontratë me Mançester Junajtidin.

Varianti i dytë është që Runi të huazohet te Evertoni dhe Junajtid t’i paguajë atij gjysmën e rrogës, teksa gjysmën tjetër do ta paguajë Evertoni. Kujtojmë se me largimin e Ibrahimoviç nga Junajtid, Uejn Runi është lojtari më i paguar në Premier me një rrogë prej 250 mijë sterlinash në javë. Largimi i Runit nga “Old Trafford” është theksuar dukshëm në javët e fundit, me trajnerin Murinjo që i ka lënë të kuptohet kapitenit të tij se nuk është në planet e veta dhe se do ta ketë tepër të vështirë t’i garantojë një vend titullari në ekip. Burime nga klubet bëjnë me dije ndër të tjera se marrëveshja mes Junajtidit dhe Evertonit është thuajse e mbyllur dhe mungon vetëm zyrtarizimi. Uejn Runi iu bashkua Mançester Junajidit 13 vjet më parë nga Evertoni për 26.5 milionë sterlina. Runi u kthye në një legjendë tek Junajtid, duke u bërë këtë vit dhe golashënuesi më i mirë në historinë e këtij klubi, sikurse dhe golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares angleze. Largimi i Runit nga Junajtid në verë është vërtetuar dhe nga lëvizjet e fundit të familjes së tij, teksa mediat britanike kanë fotografuar bashkëshorten e tij duke paketuar rrobat e orenditë.

Optimizëm edhe për Zhiru – Uejn Runi mund të mos jetë goditja e vetme e Evertonit. Një nga skautët e Evertonit, Karlo Xhakomuzi duke folur për mediat italiane ka thënë: “Everoni po bëhet gati për të afruar dhe Zhiru nga Arsenali për 20 milionë sterlina”.

Junajtid tashmë kërkon Lukakun – Alvaro Morata po kthehet në një problem për Mançesterin. Deri më tani “Djajtë e kuq” nuk akne mundur të bindin Realin për sulmuesin spanjoll dhe Murinjo ka bërë gati planin B, për të konkurruar Çelsin për sulmuesin belg të Evertonit, Romelu Lukaku. Belgu ka lënë të kuptohet se dëshiron të largohet nga “Karamelet” dhe Murinjo e kërkon me çdo kusht në ekip për të mbushur vendin e lënë bosh nga Ibrahimoviç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *