Mauro Ikardi është grumbulluar me Argjentinën për miqësoret me Meksikën, më 17 dhe 21 nëntor. Sulmuesi i Interit ka folur për “Ole.com” dhe fillimisht ka komentuar raportin me Lautaro Martinez, shokun e tij të skuadrës tek Interi dhe kombëtarja.
“Unë dhe Lautaro jemi gjithmonë së bashku dhe po përpiqemi të marrim diçka nga njëri-tjetri, në mënyrë që të bëjmë gjëra të rëndësishme”, shprehet Ikardi, i cili e vlerëson faktin që është grumbulluar nga Argjentina për miqësoret e radhës.
“Jemi të gjithë djem të rinj, që po nisim këtë aventurë. Sigurisht që jemi të lumtur të jemi protagonistë për të përfaqësuar vendin tonë. Është një eksperiencë e mirë në aspektin personal, edhe pse kemi të bëjmë me ndeshje miqësore. Ato na ndihmojnë të vazhdojmë me ato gjëra që kemi bërë deri më tani. Jam i lumtur që kthehem në shtëpi për pak”, shtoi sulmuesi i Interit.
Momentalisht Argjentina drejtohet nga Lionel Skaloni dhe për Ikardin shansi i dhënë për të është i merituar: “Skaloni është një trajner që transmeton shumë pasion dhe entuziazëm me punën e tij. Ai dëshiron që gjërat të shkojnë mirë dhe jam i lumtur për këtë. Ai e meriton mundësinë që i kanë dhënë. Ka nisur një cikël i ri dhe shpresojmë të shpresojmë të bëjmë gjëra të rëndësishme, pasi jemi edhe një grup i përbërë nga shumë të rinj. të gjithë jemi shumë të lumtur dhe krenarë që përfaqësojmë vendin tonë”.
Në fund Ikardi zbulon edhe ëndrrën e madhe: “Të veshësh fanellën e Argjentinës është gjëja më e bukur, nuk ka fjalë për ta përshkruar. Ëndërroj të fitoj një Botëror, është një ëndërr që e kam që fëmijë. Dua të bëj mirë për të marrë pjesë në Botërorin e Katarit, por fillimisht duhet të mendojmë për Kupën e Amerikës”.