Sikur të mos mjaftojnë mesazhet në kod dhe lojërat e fjalëve të bashkëshortes/menaxhere të tij, Mauro Ikardi përfshihet në vorbullën e ngacmimeve me anë të rrjeteve sociale dhe në një moment të zi për Interin, poston në Instagram një mesazh misterioz që fut në ankth tifozët: “Të thuash lamtumirë do të thotë të rritesh”.
Çfarë kuptimi ka një frazë e tillë, në një moment ku flitet gjithnjë e më shumë se Ikardi mendon largimin dhe se Reali është gati t’ia paguajë klauzolën e prishjes së kontratës në qershor? Presion Interit për rritje page, rinovim, apo thjesht ndonjë mesazh për dikë tjetër?
Interi ka përgënjeshtruar zyrtarisht: “Nuk kemi asnjë tratativë me Realin apo ndonjë klub tjetër për Ikardin. Sidoqoftë, klauzola e prishjes së kontratës nuk vlen në janar”. Fjalët e drejtorit sportiv Piero Auzilio, i cili mundohet të ulë tensionin, por nga ana tjetër, është e qartë që edhe tek Interi janë të nervozuar, sepse një kapiten nuk mund të bëjë lojëra të tilla me tifozët në një moment kaq të keq.