Po sikur Ikardi të shkojë te Juventusi dhe Higuain tek Interi? Ky ishte lajmi provokues publikuar javën e shkuar në mediat italiane, që ngjalli reagime të ashpra sidomos nga tifozët e Interit.
Megjithatë, spekulimi nuk ka qenë fare pa bazë, sepse diçka lëviz dhe duket se ka qenë Juventusi që i ka përhapur këto zëra, për të testuar tregun.
Sot Tuttosport del me një lajm të fortë: Alegri dhe Spaleti janë dakord që shkëmbimi të kryhet!
Alegri dëshiron një sulmues të ri dhe të uritur, të aftë të shënojë më shumë se Higuain dhe të ketë vlerë në rritje në treg.
Spaleti e ka të qartë se Ikardi largohet këtë muaj për vetëm 110 milionë euro, nëse arrin marrëveshjen me ndonjë klub jashtë Italisë, ndaj në këtë moment të marrësh Higuainin në shkëmbim është luks, sidomos nëse Juve shton shumë miliona. 50 kërkon Interi, nuk ka shans thotë Juve.
Po lojtarët? Ikardi dhe agjentja e tij Uanda Nara shohin milionat dhe mundësinë për të fituar trofe, por Higuain ka deklaruar se ëndërron të luajë në Premier Ligë dhe vështirë se bindet për tek Interi.
Sa për tifozët, ata të Juves nuk është se mërzitën shumë, ndërsa ata të Interit refuzojnë, por nga ana tjetër ka kohë që janë ftohur me Ikardin, duke parë provokimet pa fund të Uanda Narës, që lëshon mesazhe dashurie herë për Realin e herë për Juventusin.