Ikardi gati për Atalantën, Zaneti: Uroj të qëndrojë gjatë

Interi ka vijuar ditën e djeshme stërvitjen, pa 13 lojtarë të shprëndarë me kombëtaret përkatëse, ndërsa Mauro Ikardi vazhdon me terapitë e riaftësimit, pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e fundit të kampionatit, kundër Torinos. Kthimi në grup i sulmuesit kryesor është parashikuar për të martën, çka do të thotë se argjentinasi do të jetë gati për ndeshjen e radhës në kampionat, në San Siro kundër Atalantës. Në atë takim pritet sërish një numër shumë i madh tifozësh, rreth 60 mijë të tillë. Ndërkaq, zëvendëspresidenti i Interit, Havier Zaneti, në Kinë për një ndeshje me Legjendat e Interit, që do të prëballen me Legjendat e Kinës, ka folur për kapitenin zikaltër dhe për sezonin e Interit.

“Falë punës së Luçiano Spaletit, lojtarët janë të vetëdijshëm për forcat e veta. Kanë pasur një ecuri shumë pozitive deri tani. Gjithsesi, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të arrijmë objektivin tonë sezonal, që është kualifikimi në Champions League”.

Po afron janari dhe tifozët presin ndonjë dhuratë, por Zaneti kërkon kujdes dhe tregon rrugën që duhet ndjekur: “Duhet kthyer te puna mbi vlerat e rëndësishme të sportit: është themelore që të krijohet ndjenja e përkatësisë, si ajo që kam pasur unë kur kam luajtur për Interin në 20 vite karrierë. Merkatoja futbollistike është pjesë e këtij sporti, por duhet shumë kujdes, për të vlerësuar si duhet tipin e lojtarit që merr”.

Në lidhje me Ikardin, Zaneti thotë: “Ka hedhur hapa të mëdhenj përpara, është një sulmues i jashtëzakonshëm dhe po e tregon. Është kapiteni ynë, i rëndësishëm për grupin, tifozët dhe klubin. Unë uroj që Ikardi të qëndrojë sa më gjatë tek Interi, për t’u kthyer në një flamur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *