Mauro Ikardi është njeriu që zgjidh çdo situatë te Interi. Kapiteni zikaltër i dhuroi tre pikët skuadrës së Spaletit ndaj Milanit, pikërisht si bëri edhe në derbin e një viti më parë. Në atë rast, ndeshja u vendos nga goli me 11-metërsh i argjentinasit. Ndërsa këtë herë, Ikardi u gjend në vendin e duhur dhe në momentin e duhur, duke mposhtur Donarumën, që ishte dukshëm fajtor me pozicionimin në portë.
“Duhej ta fitonim derbin, gjatë gjithë javës e kemi thënë. Goditëm shtyllën, provuam shumë drejt portës dhe shënuam një gol. E merituam plotësisht: të fitosh në këtë mënyrë është edhe më bukur. E donim këtë sukses për tifozët tanë, për këtë atmosferë që krijohet në San Siro, por edhe për vete, për ti dhënë vazhdimësi kampionatit”, tha Ikardi për “SkySport”.
Argjentinasi vazhdon të konfirmohet si lider në fushë dhe me gola. Prej rrjetës ndaj Totenhemit në Champions dhe asaj me Fiorentinën në kampionat, Ikardi praktikisht nuk është ndalur më. Nuk shënoi vetëm ndaj Kaljarit, ndërsa më pas realizoi ndaj PSV në Champions, dy herë ndaj Spal dhe tashmë në derbin kundër Milanit.
“Po marrim shumë kënaqësi. Objektivi ynë është të kemi vazhdimësi në rezultate: më pas në fund të vitit do të vlerësojmë se çfarë mund të arrijmë në këtë sezon”, tha kapiteni, i cili foli edhe për sfidën e së mërkurës ndaj Barcelonës: “Jemi të vetëdijshëm për potencialin tonë, jemi një skuadër e fortë dhe mund të luajmë si të barabartë me të gjithë”.