Privatizimi i Flamurtarit është një çështje shumë e rëndësishme dhe administratori Sinan Idrizi shpesh ka ngritur shqetësimin e vonesës së procedurave. Këshilli Bashkiak i Vlorës pritet ta diskutojë këtë çështje në një mbledhje të posaçme, jashtë radhës.
Kreu i klubit kuqezi, Sinan Idrizi, mbetet shumë i preokupuar për të bërë hapa konkretë në këtë drejtim, sepse është i bindur se privatizimi do t’u japë zgjidhje të gjitha problematikave te Flamurtari. Nuk kanë munguar takimet e kreut të klubit me drejtues të bashkisë, madje dje ai është takuar sërish me Ministrin e Energjitikës, Damian Gjiknurin, i cili është edhe koordinatori politik i PS-së për Vlorën.
Nga burime jozyrtare mësohet se në takim është bashkuar më pas edhe kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli. Natyrisht, privatizimi mbetet një nga diskutimet më të rëndësishme dhe ky është takimi i dytë, që administratori Idrizi zhvillon për këtë çështje. Privatizimi i Flamurtarit është kërkuar edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Vlorës, ku është mësuar se këshilltarëve tani do t’u vihet në dispozicion informacioni i plotë rreth këtij procesi.