Idrizi: S’jemi klub cubash, nuk na keni parë ende gjaknxehtë

Administratori i klubit vlonjat: Nuk pati dhunë. Tartari është një rrugaç i llojit të veçantë. E kërkojnë në Vlorë për borxhet që ka në kumar. Iku nga stadiumi vetë

Elton Nika

Një ditë pas situatës së krijuar pas ndeshjes Flamurtari-Vllaznia, ku pati shumë tension dhe goditje të arbitrave, administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka folur me më shumë qetësi. Ai ka deklaruar së pari se i vjen keq për çfarë ndodhi, por fajëson gjyqtarët për veprimet e tyre antisportive, vëzhguesin dhe delegatin e ndeshjes. Idrizi thekson se tashmë askush nuk mund të tallet më me Flamurtarin, siç ka ndodhur deri tani. Sipas tij, gjyqtarët janë larguar nga Vlora pa probleme, ndërkohë që i quan veprime burracake reagimet e anësorit Tartari pas ndeshjes. Nëse Tartari është goditur, sipas administratorit Idrizi, kjo nuk ka pasur lidhje me gjykimin, por me një histori personale të anësorit për borxhe të vjetra në Vlorë.

AKUZAT PËR ARBITRAT – “Teorikisht, sot (dje) jam pak më i qetë, por praktikisht jam më i acaruar. Kur mendoj se çfarë ka ndodhur, trefishohet stresi për atë që ndodhi pas ndeshjes. E përsëris, bastardët që vijnë të bastardojnë çdo gjë në Vlorë, na kanë keqkuptuar në anën tonë civile, që e kanë marrë si dobësi. Domethënë, ata nisen me idenë: të shkojmë në Vlorë, të bëjmë të zakonshmen, të bëjmë atë që kemi bërë deri tani dhe këtë do ta kalojmë me një batutë dhe kaq. Ky ka qenë thelbi i këtyre. Ka pasur një reagim, që nuk ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit të ndeshjes, që ishte flagrant. Nuk kanë reaguar tifozët për ndeshjen. Ata kanë reaguar në kohën, kur ishte duke ardhur Sino, i cili i është drejtuar tribunës, duke sharë e fyer si një rrugaç ordiner. Kur kam zbritur poshtë dhe kanë parë dialogun me sharje të anësorit Tartari, që është një rrugaç i një lloji të veçantë, atëherë pashë që çdo gjë ka kaluar jashtë kontrollit. Ka qenë reagimi i mirë i forcave të policisë, që gjërat nuk kanë degraduar në ekstremin e mundshëm”, – ka thënë fillimisht administratori Idrizi.

DHUNA NDAJ TARTARIT – “Tartari është thjesht një burracak dhe asgjë tjetër. Nëse është dhunuar dhe nga cili është dhunuar, kjo është një gjë e tij. Di që para ndeshjes ka ardhur dikush për një konflikt që ka që në muajin dhjetor me Tartarin. Më thanë se është një borxhli i tij në një qendër lotosh, një histori kumari që ka pasur Tartari në Vlorë. Nëse duan ta hetojnë çfarë ka ndodhur në Vlorë dhe nëse e kanë goditur Tartarin, le ta hetojnë që nga muaji dhjetor këtë djalë për konfliktet që ka pasur. Ky është një burracak. Nëse realisht i dëgjojnë veshët atë që nxjerr nga goja, kur shan në Vlorë vlonjatët, atëherë është problem i tij. Në Vlorë nuk e kanë dhunuar. Nëse ai e quan dhunim këtë që ndodhi në Vlorë, atëherë të jeni të sigurt se është thjesht një alibi e tij. Në Vlorë nuk ka pasur dhunim. Ka qenë një reagim, një shtyrje, apo histori të tjera, por dhunim nuk ka. Nëse ai do të marrë model si është dhunimi në Vlorë, atëherë të vijë në një ndeshje tjetër dhe të arbitrojë, të shikojë çfarë do të thotë dhunim. Në këtë rast nuk ka pasur dhunim. Janë kamerat, le të verifikohet gjithçka. Për këta burracakët, që bëjnë trimin, herët apo vonë ligji do të veprojë”.

DENONCIMI – “Kam bërë denoncim për fyerje, ofendim dhe prishje të strukturës. Ne do të marrim masat tona tani, të gjithanshme. Ky burracak që bën këto histori me fotoshop, ka ikur si njeri normal kur ka dalë nga stadiumi. Ka shkuar me këmbët e tij, duart e tij dhe me të gjitha të tijat”.

PREGJA – “Konfliktin verbal e kam pasur me zotërinë e FSHF-së. Bujar Pregja çuditërisht gjithmonë ka histori me Flamurtarin. I them Pregjës, miqësisht: këta zotërinj kanë ardhur në Vlorë dhe kanë parë gjithmonë një hënë të bukur. Duhet të kenë parasysh se hëna ka edhe anën e saj të errët. E përgëzoj Pregjën për foton e bërë për fytyrën, në thonjëza, të fashuar. Sa u përket masave, do të bëjmë çdo gjë të mundshme. Durimi ka kaluar limitin. Reagimi im nuk ka qenë nga gjaknxehtësia. Këta nuk e kanë parë akoma gjaknxehtësinë tonën dhe timen. Mos ma merrni si kërcënim, pasi nuk dimë të kërcënojmë njeri. Nuk jemi klub cubash. Jemi i vetmi klub që pas çdo ndeshje kemi përgëzuar të gjithë ata që na kanë mundur, por kur kalohet në këtë limit, çdo gjë ka marrë fund”.

DËNIMI I MUNDSHËM – “Të dënohemi, nga kush? Të presim dhe të shikojmë. Tani nuk ka më aludime. Nuk bëhet më për gabim njerëzor, por për çdo gjë të komanduar. E përsëris, jemi të gatshëm: “syrit sy dhe dhëmbit dhëmb”, si të duan ta bëjmë, me këtë qytet nuk tallen dot më. Civilizimit këta nuk i përgjigjen dot me harbutëri. Të dinë një gjë, që ne kur duam, jemi më të këqij nga këta. Civilizimin na e kanë keqkuptuar”, – ka përfunduar administratori Sinan Idrizi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online