Kreu i klubit vlonjat i jep merita maksimale trajnerit Shpëtim Duro për punën që ka bërë dhe për përzgjedhjen e futbollistëve
Elton Nika
Dy fitore radhazi dhe Flamurtari e sheh veten në vend të tretë të renditjes, pas Skënderbeut dhe Kukësit, një pikë pas tyre. Vlonjatët po tregojnë se janë vërtet një skuadër ndryshe nga sezonet e fundit, më e konsoliduar dhe më kompetitive. Ajo fitore në stadiumin “Niko Dovana”, por mbi të gjitha loja e Flamurtarit në pjesën e parë, ishin dëshmi se skuadra është ndërtuar ndryshe dhe premton shumë në këtë kampionat, ku nuk ka objektiva fikse, edhe pse flitet për Europën.
IDRIZI – Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, është i kënaqur me skuadrën e tij, jo më shumë me dy fitoret radhazi se me atë çfarë reflektojnë futbollistët në fushë. Më në fund, duket se ka gjetur skuadrën që do. Ai mendon se gjithçka vjen si rezultat i punës së kryer deri tani nga të gjithë, veçanërisht nga trajneri Shpëtim Duro. “Fitorja në Durrës patjetër që ishte shumë e rëndësishme, sepse treguam se ky Flamurtar është me karakter. Nuk ishte rastësi dhe as surprizë kjo fitore, por vazhdim i punës që është bërë në këtë skuadër prej fillimit të fazës përgatitore dhe deri më tani. Mendoj se nuk duhet të jemi euforikë në mendjen tonë. Nuk duhet të mendojmë se kemi marrë tri pikë me Teutën dhe kemi arritur gjithçka. E kam përgëzuar skuadrën gjatë kësaj periudhe, madje edhe kur humbëm në Korçë, sepse kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë në transfertën me Skënderbeun, përballë një skuadre shumë të mirë. Por janë vetëm ndeshje e para dhe duhet të shohim më tej. Ndaj skuadrës nuk ka presion dhe ajo që dua ta vlerësoj është mendësia e grupit të lojtarëve dhe trajnerit Duro. Nuk e vëmë ekipin në presion me objektiva fikse. Unë kërkoj atë që kam thënë që në fillim dhe që kjo skuadër po e bën: respektimin e fanellës. Kjo skuadër ka karakter, ka lojtarë profesionistë dhe një trajner, i cili di t’i menaxhojë situatat mirë. Nuk e quaj fitore të rastit atë të Durrësit. Vlerësoj punën e skuadrës, trajnerit Duro dhe stafit të tij. Trajneri Duro është personi, i cili kishte në dorë ndërtimin e skuadrës gjatë verës dhe i jap të drejtë plotësisht. E respektoj maksimalisht, pasi ka krijuar një skuadër, që mbi të gjitha respekton fanellën në fushë. Janë lojtarë, që dinë të tregojnë në fushë cilësitë e tyre. Grupi është profesionist dhe kjo ka shumë rëndësi në futbollin e sotëm”, – shprehet administratori Idrizi.
PENALLTIA – I pyetur për episodin e penalltisë në favor të Teutës në ndeshjes e së dielës, kreu i klubit vlonjat u shpreh: “Nuk dua të merrem fare me këto gjëra. Nuk e paragjykoj gjyqtarin dhe vendimin e tij për atë penallti të akorduar kundër nesh në Durrës. E rëndësishme është fitorja e skuadrës. Flamurtari është krijuar një skuadër e re, por po tregojnë në fushë se dinë çfarë kërkojnë. Të gjithë e dëshirojmë Europën, por të shohim ndeshje pas ndeshje dhe duam të kemi përkrahjen e sa më shumë sportdashësve në stadium në çdo ndeshje”.