Idrizi: E tmerrshme, më kërkojnë lekët e drekave me Buduçnostin!

Administratori i Flamurtarit zbulon detaje të tjera të borxheve të vjetra, ndërkohë që u bën ftesë tifozëve për mbështetje maksimale ndaj Skënderbeut  

Elton Nika

Ndeshja me Skënderbeun cilësohet shumë e rëndësishme në Vlorë, ku të enjten pritet një stadium i mbushur nga tifozët vendës. Parashikohet një luftë e fortë sportive në fushë, duke pasur parasysh traditën e viteve të fundit, por edhe pretendimet që kanë aktualisht të dyja skuadrat. Skënderbeu është i vetmi kundërshtar, që deri tani i ka mundur të besuarit e trajnerit Duro, por kjo ka ndodhur në Korçë javën e parë dhe të enjten do të jetë tjetër histori. Falë gjendjes së mirë të skuadrës dhe mbështetjen së sportdashësve vlonjatë, Flamurtari i ka të gjithë mundësitë të thyejë kryesuesit e Superiores.

IDRIZI – Administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, i cili pak ditë më parë konfirmoi se do të shlyhet ndeshja e mbetur nga dënimi, thekson se do të jetë një ndeshje shumë e bukur ajo me Skënderbeun, ku pret suksesin e të tijve: “Skuadra është në një situatë shumë të mirë dhe natyrisht presim të jetë një ndeshje sa më e bukur. E bukur nga të dyja skuadrat dhe për këtë i ftojmë në  stadium të gjithë sportdashësit vlonjatë. Hyrja do të jetë ashtu si në ço ndeshje tjetër. Kemi paguar shumën prej 5 milionë lekësh dhe tifozët duhet ta kuptojnë këtë fakt: ky veprim është kryer pikërisht për vetë ata. Hyrja në stadium nuk është falas, por i ftoj të jenë të shumtë në numër në shkallët e stadiumit. Shpresoj shumë të shikojmë një ndeshje të bukur të enjten. Nuk di çfarë të them më shumë…Flamurtari po ecën mirë, presion nuk ka, ndaj dhe shpresojmë të ecim sa më shumë në këtë rrugë deri në fund të kampionatit. Po zhvillojmë një sezon shumë të mirë dhe uroj të vazhdojmë kështu”, – ka theksuar fillimisht kreu i klubit vlonjat.

BORXHET – Administratori i Flamurtarit ka folur dhe për çështjen e qirave të papaguara ndaj ish-trajnerëve vite më parë: “Problemi ynë vijon të mbetet ai i viteve të shkuara, me llogari të  pashlyera nga klubi më parë. Ka banuar Rubio dhe Gjoka, nuk kam banuar unë në ato shtëpi, le t’i paguajnë ata apo ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika. Por nuk është vetëm ky problemi, ka edhe një tjetër shumë që shkon diku te 6-7 milionë lekë dhe që lidhet me kohën kur Flamurtari luante me Buduçnostin në Europë. Në një restorant të qytetit janë ngrënë dreka dhe darka dhe faturat kalonin në llogaritë e klubit. Pronari i restorantit tashmë m’i kërkon mua ato lekë. Kjo është për të ardhur keq. Ç’është kjo histori? Për të tretin vit radhazi kërcënohemi me mbylljen e llogarive të klubit. Ish-kryebashkiaku që i ka ngrënë me ku e di unë se kë drekat dhe darkat që në vitin 2011, le të shkojë t’i paguajë. Nuk është problemi vetëm Rubio apo Gjoka në vitet e shkuara, por edhe të tjera konto dhe llogari që dalin herë pas here në sipërfaqe. Këtë gjë nuk e kuptoj fare. Pronari i restorantit kërkon lekët që janë prej gjashtë apo shtatë vitesh dhe vjen e më drejtohet mua, ndërsa unë rrezikoj bllokimin e llogarive. Çfarë të paguaj unë, darkat dhe drekat e Buduçnostit që në vitin 2011? Kjo është një situatë për të ardhur keq, e tmerrshme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *