Hammarby është shpallur sot fituese e Kupës së Suedisë. Klubi nga Stokholmi ka mposhtur Hacken në finale, në të cilën nuk mjaftoi as koha e rregullt e as shtesat. Rezultati mbeti 0-0, prandaj ekipet iu drejtuan penalltive. Prej nga pika e bardhë e 11 metërshit, i fundit që gjuajti topin ishte Astrit Selmani. Sulmuesi shqiptar tregohet i saktë dhe i jep kështu Kupën e parë në histori klubit të Hammarby-t, që në tribunë kishte edhe një ndjekës të veçantë, Zllatan Ibrahimoviçin që zotëron edhe aksione në këtë klub.
Në përfundim të kësaj finaleje, talenti dardan ka folur për “SVT“, ku është shprehur: “Do të thotë shumë, gjithmonë është folur që nuk fitojmë, se nuk ka tituj. Tani kemi një trofe. Njerëzit thonë se ne jemi jashtë Allsvenskan, nuk e kuptoj, kanë mbetur 22 ndeshje. Për sa kohë që njerëzit vazhdojnë të flasin budallallëqe, unë do të vazhdoj të rris ritmin”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/