Egnatia nuk po arrin të kthehet te rezultatet pozitive dhe këtë herë ka humbur në shtëpi përballë Kukësit me shifrat 1-2. Ekipi i Duros duket i goditur psikologjikisht dhe vazhdimisht po i lehtëson punën kundërshtarëve.
Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Fernandos në minutën e 34 falë ekzekutimit të saktë të 11-metërshit. Por një minutë përpara se ky gol të shënohej, Atanda u tregua fantastik me ndërhyrjen që i mohoi golin Barbosës, pasi ky i fundit e kishte kaluar portierin.
Kështu ndeshja po shkonte në favor të Egnatias dhe Kukësi nuk po krijonte mundësi të pastra. Por një predhë e lëshuar nga Ndreca në të 71, u ndihmua nga devijimi i Malotës, me topin që u shty në rrjetë. Në minutën e 87 ishte afrimi i ri i merkatos së dimrit, mesfushori Delimedjac që lëshoi një gjuajtje të fortë duke gjetur cepin e rrjetës. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Hallaci: “Këtu nuk ka asnjë ndeshje të lehtë, sidomos për ne. Kemi folur shumë me ekipin që në humbje e fundit ne kemi luajtur futboll, fatin e kishim kundër. E pësuam nga një gabim në mbrojtje. Flasim vazhdimisht me mbrojtësat që të mos bëjnë ndërhyrje të tilla në zonë, është e pafalshme, lojtari i Egnatias nuk po rrezikonte në atë moment. I thashë ekipi që të besoj deri kur të vërshëllejë arbitri. I thashë lojtarëve që nuk dua festë pasi jemi ende në zonën e ftohtë. Kjo skuadër ka prodhuar gjithmonë futboll, unë e kam thënë. Këtu ka cilësi dhe lojtarë me kualitet. Gjici ka të drejtë që të thotë se duhet të jemi në Europë, ka investuar shumë, na i ka plotësuar të gjitha kërkesat. Europën mund ta arrijmë nga Kupa”.