I shkaktoi humbjen e parë Antonio Di Natales, Vrioni në mes të lotëve: 25 nëntor, 25 prill! Jetoj për këto momente

Xhakomo Vrioni është kthyer që të festojë golin e shënuar me fanellën e Juventusit duke i dhënë tre pikët e çmuara ekipit të U-23 ndaj Carraesce. Kjo e fundit drejtohet nga Antonio Di Natale dhe kjo ishte humbja e parë për këtë trajner me ekipin e Carraesce.

Trajneri i bardhezinjëve i besoi Vrionit nga 11-metrat dhe nuk u zhgënjye. Një dhuratë që vjen pas dëmtimit të gjatë të sulmuesit shqiptar pasi u largua nga fusha e blertë që në 25 nëntor të vitit 2020. E për këtë arsye goli i fitores shijoi shumë nga Vrioni që shkruan në “Instagram”:

“25 nëntor, 25 prill. Në mes të lotëve, zemërimit, punës, djersës, sakrificës, një pritje me të vërtetë të pafund. Dhe shumë dëshirë për t’u kthyer për të ngazëllyer si këtë herë. Unë jetoj për këto momente”, shkruan Vrioni. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *