Një minutë në fushë, debutim me Laçin në Superiore dhe… gol.
Sherif Kallaku ka pasur një impakt të bujshëm në Superiore, sepse deri tani pakkush e njihte, edhe pse ka luajtur me ekipet e moshave te Olimpiku, Tirana, Partizani dhe Akademia e Futbollit.
Në janar iku në Itali, tani është kthyer, i bindur nga oferta e Laçit. Mesfushori i Shqipërisë U19 dhe tashmë edhe U21, edhe pse vetëm 19 vjeç, duke folur në Supersport, ka lëshuar një deklaratë të fortë, ndaj Partizanit dhe gjithë futbollit tonë, që nuk beson te talentet.
“Jam i kënaqur për golin, i lumtur për fitoren. Ia kushtoj babait tim, që është ndarë nga jeta para 40 ditësh. Kam luajtur me të rinjtë e Partizanit, ndoshta gabojnë që i largojnë lojtarët e rinj. Isha në Itali, por u ktheva për të luajtur futboll në ekipe të para, sepse në Itali më ofronin të vazhdoja të luaja me të rinjtë, në Primavera. Këtu klubet nuk punojnë me të rinjtë dhe ne detyrohemi të largohemi, për të kërkuar ekipe për t’u rritur jashtë shtetit, më vjen keq”.