Thomas Strakosha nuk e ka pranuar rinovimin me ekipin e Lacios dhe kjo ishte arsyeja “e dënimit” të marrë për t’u lënë në stol edhe ndaj Romës. Pavarësisht se portieri shqiptar shkëlqeu në përballjen e fundit që zhvilloi me Parmën, do të ulej sërish në stol për t’i lënë vendin Reinës në derbin e kryeqytetit.
Marrëdhënia e bashkëpunimit me Lacios ka përfunduar dhe ekipi italian nuk do të kërkojë që të bëjë gabimin duke i ikur portieri me parametra zero. Për këtë arsye ndarje do të vijë që në merkaton e verës. Në mediat italiane raportohet se për Strakoshën po shfaq interesim të madh Southampton.
Kjo skuadër ndodhet në mesin e tabelës në “Premier League” duke mos rrezikuar për rënien në “Championship”, por njëkohësisht duke qenë larg vendeve të Europës. Strakosha e kishte shprehur hapur dëshirën për të qenë pjesë e elitës së futbollit anglez edhe përpara ndeshjes që Shqipëria zhvilloi kundër Anglisë. /Sport Ekspres/