Vllaznisë i ka ikur fitorja nga duart në transfertën e Teutës vetëm në sekondat e fundit. Pas shpërdorimeve nga të dy ekipet, goli i parë do të shënohej nga Latifi në të 60. Një penallti e akorduar me VAR në favor të shkodranëve dhe Latifi që gjen rrjetën. E kur pritej fundi i takimit, në të 99 ishte Ivanovic që shënoi për Teutën duke mos gabuar para portës.
Një moment vërtet interesant është shënuar në përfundimin e ndeshjes. Trajneri Plori dhe lojtarët e Vllaznisë kishin disa pakënaqësi për goditjen e këndit të dhënë në momentin që më pas do të prodhonte golin e durrsakëve. Tërësisht i pafuqishëm dhe duke mos i besuar syve për gjithçka ndodhi, trajneri i Vllaznisë është ngushëlluar nga lojtarët e Teutës. /Sport Ekspres/