E gjithë vëmendja e kësaj jave në “Abissnet Superiore” është te Tirana-Partizani. Një derbi që merr shumë vlera duke parë vitet e fundit dhe formën aktuale të ekipeve, që janë në një paradoks të madh. Por si do të jetë ky derbi? Në një intervistë me Drilon Xhepollarin në “Sport Magazine”, Vrapi që ka luajtur te dy ekipet e kryeqytetit, shprehet se Tirana e përjeton gjithmonë më tepër derbin sesa Partizani. Kur flitet për surprizën e këtyre javëve të para, veçohet Egnatia.
“Fjala derbi është shumë e madhe. Ne i presim me padurim këto lloj ndeshjesh. Duke parë se Tirana-Partizani ofron mundësinë që ne të kënaqemi duke parë futboll, është vërtet shumë mirë. Të dy ekipet kërkojnë titullin kampion dhe janë pretendente kryesore. Do të jetë ndeshje e bukur. Nuk ka pasur kurrë favorit në derbi, pavarësisht renditjes. Tirana e përjeton gjithmonë e më tepër pasi kërkon të fitojë ndeshjen. Ndërsa Partizani është gjithmonë më i qetë në derbi, megjithëse e ka brenda ndjenjën e fitores. Unë i njoh temperamentet e të dy presidentëve.
Partizani ka pasur rezultate pozitive ndaj Tiranës në 10 vjecarin e fundit. Tirana ka pasur shumë probleme edhe kur kam qenë unë aty. Më vjen pak turp kur e them, por kur e kemi shpëtuar Tiranën, në vitin tjetër shkojë në Kategorinë e Parë. Duke parë ecurinë e viteve të fundit, Partizani është gjithmonë më i qetë dhe Tirana kërkon që të rregullojë bilancin e 10 viteve të fundit. Kaçe? Ka pasur raste kur lojtarët që vijnë këtu e marrin lehtë dhe pas e kuptojnë se është kampionat i fortë edhe në Shqipëri. Surpriza? Egnatia e ka marrë më shumë seriozisht dhe po ndjek rolin e Laçit dikur”, tha Vrapi. /Sport Ekspres/