E gjithë pritshmëria e Kombëtares dhe tifozëve kuqezinjë mbetet te Sherif Kallaku. Regjisori i ri dhe i munguar i Shqipërisë është pikërisht mesfushori i Lokomotivës së Zagrebit. Përgjatë gjithë kësaj kohe na ka treguar në Superiore dhe me Shpresat se është i aftë të ndërtojë aksione, të shënojë gola dhe gati për të bërë lëvizjen e kundërt që pret kundërshtari.
Për këtë arsye edhe trajneri Bushi e ka vlerësuar në një intervistë për “Gol nga Tribuna”, duke e krahasuar me stilin e Pirlos dhe të Totit. Sipas trajnerit të Shqipërisë U-21 ky futbollist do të jetë pjesë e Kombëtares A për 13-14 vitet e ardhshme dhe ka kualitetin që mungon sot në Europë për rolin e tij.
“Sa i përket Sherif Kallakut, do të jetë pjesë e Shqipërisë A për 13-14 vitet e ardhshme. I duhet me patjetër Kombëtares A. I duhet me patjetër pasi është një lojtar që Kombëtarja A nuk e ka, pasi të qetëson lojën, jep asist dhe ka shumë fantazi. Do të bëj diferencën te Kombëtarja pasi është nga ata lojtarë që në fakt edhe Europa nuk i ka më. I ngjason stilit të Pirlos apo Totit, që nuk i sheh shpesh në Europë. Tani ka shkuar te Lokomotiva e Zagrebit dhe shpresoj se do të bëhet më i fortë fizikisht”, do të shprehej Bushi.
Nga ana tjetër Kallaku nuk ka sesi mos të mbushet me gëzim pas një komenti të tillë teksa sheh vlerësimin që kanë për të në Shqipëri. I ftuar në emisionin “Zona Gol”, ka treguar se qëndron më këmbë në tokë: “Ndihem shumë i privilegjuar edhe pse mendoj se është pak koment i tepërt. Do të mundohem që këtë moment të mos e çoj dëm”. /Sport Ekspres/