Përballja mes Bolonjës dhe Juventusit është ndezur shumë ditë përpara zhvillimit të këtij takimi. Bardhezinjtë kanë fitoren si të vetmen mundësi në mënyrë që të arrijnë në “Champions League”. Por vetëm kjo nuk është e mjaftueshme pasi nga krahu tjetër duhet të gabojë edhe një prej ekipeve mes Milanit dhe Napolit, që ndeshen përkatësisht kundër Atalantës dhe Veronës.
Megjithatë Juventusi duhet të kalojë fillimisht Bolonjën dhe ndaj ish-trajnerit të Milanit, Mihajlovic, nuk do të jetë aspak e lehtë. Trajneri serb ka nisur me provokimet disa ditë më parë, madje duke gjetur në kokë edhe arbitrin: “Jam i sigurt se këtë herë nuk do të na sjellin një nga ata arbitrat e rinj. Do të vijë një mes Valerit dhe Giacomellit, mund të vendos bast për këtë”, u shpreh Mihjalovic, duke përmendur dy emra që në Itali komentohen edhe si më dashamirës karshi Juventusit. Basti i vendosur nga ana e Mihajlovic mes provokimesh ka rezultuar i gjetur. Kjo pasi janë ndarë arbitrat për ndeshjet e fundit të Serisë A dhe Bologna-Juventus i është dhënë Valerit. /Sport Ekspres/