I larguar që 14-vjeç nga familja, talenti që e kërkonte Greqia: Lojtarët e Shqipërisë janë më të mirët në botë

0

Punë…punë…punë! Kjo është motoja që e ka shoqëruar Emiljano Bullarin që kur ishte i vogël dhe ëndërronte që një ditë të bëhej një futbollist i madh. 19-vjeçari shqiptar që është pjesë e Olimpiakosit në Greqi ka nisur të luajë futboll që kur ishte 6 vjeç dhe pavarësisht ambientit ku është rritur, nuk e fsheh dashurinë e madhe që ka për Shqipërinë.

Ndërsa tani është rritur mjaftueshëm për t’i vendosur objektiva vetes, Bullari nuk nguron të tregojë në intervistën për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, se largimi nga familja që në moshën 14-vjeçare për të ndjekur rrugën e futbollit, ka qenë sakrifica më e madhe.
Në tri ndeshje me ekipin e Shpresave, ka shënuar dy gola, teksa veçon golin kundër Turqisë në minutat shtesë.  Marrëdhënien e krijuar me grupin e kombëtares dhe atë me grupin e klubit, njeriu që e bëri pjesë të futbollit, ftesa nga kombëtarja U-21, momentet e lumtura e të tjera gjëra, shqiptari Bullari i rrëfen në një intervistë për faqen zyrtare të FSHF-së në internet.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Unë besoj se dëshira për të luajtur futboll shoqëron çdo fëmijë që në moshë të vogël, duke ëndërruar të jetë në fushën e lojës krah njerëzve që i sheh si idhuj, duke bërë krenarë prindërit dhe të tjerët që na rrethojnë. Unë kam nisur të luaj futboll që në moshën 6-vjeçare dhe tani kuptoj se përveç thjesht asaj dëshirës së madhe që kemi, duhet shumë punë dhe njëkohësisht edhe të kesh fat në anën tënde. Njeriu i parë që më ka afruar ka qenë një nga trajnerët e moshave të vogla, të cilit i tërhoqa vëmendjen dhe më bëri pjesë të ekipit.

– Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në Kombëtare? Po te klubi si ndihesh?

– Kemi një marrëdhënie të shkëlqyer, si me grupin e ekipit kombëtar ashtu edhe me djemtë e klubit. Respektojmë njëri-tjetrin dhe kemi harmoni të plotë. Trajnerin e ekipit kombëtar e kemi si shok dhe gëzoj shumë respekt për të. Na ndihmon shumë, sidomos kur na jep edhe nga eksperienca e tij si futbollist.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga Kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi?

– Ne shqiptarët që patëm fatin të lindnim jashtë atdheut jemi ushqyer me një dashuri të madhe për vendin tonë. Gjithmonë ka qenë në ëndrrat e mia që të përfaqësoja ekipin tonë kombëtar dhe jam bërë pjesë e kuqezinjve që në moshën 15-vjeçare, duke e nisur me përfaqësuesen U-17. Vjet e nisa sezonin me U-17 dhe disa muaj më vonë më erdhi ftesa nga ekipi U-21. E vërteta është që u ndjeva krenar, i emocionuar dhe i kënaqur që u thirra nga trajneri Bushi, por nga ana tjetër, e ndjej veten përgjegjës për t’i shpërblyer trajnerit Bushi dhe të tjerëve, besimin që kanë krijuar te mua.

– I rishikon ndeshjet e tua pasi luan? Dhe nëse po, çfarë i thua vetes?

– Kjo është gjëja e parë që bëj kur mbaroj së luajturi ndeshjet, pasi kërkoj të shmang gabimet e bëra dhe të jem sa më shumë rezultatitv, për veten, ekipin dhe të gjithë tifozët.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me Kombëtaren dhe me klubin.

– Do të veçoja dy momente, edhe me ekipin Kombëtar, edhe me klubin e Olimpiakosit. Me Shqipërinë, momenti më i lumtur ishte kur shënova kundër Turqisë në minutën e fundit shtesë. I paharrueshëm si moment, sepse ishte debutimi i  parë me U-21 dhe isha vetëm 17 vjeç. Ndërsa me ekipin e Olimpiakosit do të veçoja thirrjen në ekipin e parë nga trajneri në ndeshjen kundër Arsenalit në Europa League, ku fituam ndeshjen dhe u kualifikuam për më tej.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Jam larguar nga familja ime që në moshën 14-vjeçare. Pa dyshim ky ka qenë një nga momentet e mia më të vështira, pasi nuk është e thjeshtë për një djalë të largohet nga familja në këtë moshë. Është sakrificë, madje do ta konsideroja si një sakrificë shumë të madhe, edhe pse në fund të fundit kam sakrifikuar për gjënë që dua kaq shumë, futbollin.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– I kam vendosur disa objektiva vetes time, që nuk janë të lehta për t’u plotësuar. Synimi im është t’i realizoj ato. Futboll luajnë të gjithë, të gjithë mund të bëhen pjesë e tij, por nuk është e lehtë të qëndrosh. Çdo ditë mundohem të bëj hapa të vegjël, punoj shumë dhe me këtë “qetësi” hapash, do mundohem të arrij më shumë, të ngjitëm më lart dhe të qëndroj aty.

– Cila është këshilla më e vyer që ke marrë dhe nga kush?

– Një nga njerëzit e mi më të afërt, më ka këshilluar që kur isha i  vogël që duhet thjesht të luaj dhe të mos shikoj se sa para më ofrojnë, apo se çfarë shkruajnë mediat për mua. Tri fjalë më thonte gjithë kohës : Punë, punë, punë… dhe unë po punoj.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?

– Të gjithë lojtarët e kombëtares, të cilët kanë nderuar fanellën e vendit tonë, janë më të mirët në botë, por unë po luftoj që të kem idhull veten.
?

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.