“I kishin marrë masat mirë te Vllaznia, i kërkova lojtarëve të luanin shpejt”! Trajneri i Egnatias: Kartonët e kuq e prishën ekuilibrin e ndeshjes

Kukësi ka marrë një tjetër fitore të madhe dhe të papritur. Pasi eliminuan Partizanin nga Kupa e Shqipërisë, verilindorët duken në të njëjtën rrugë edhe me ekipin tjetër kryeqytetas, Tiranën. Ekipi i drejtuar nga Devolli është në prag rënie nga Superiorja, por shumë afër finales së Kupës.

Në ditën e sotme ky ekip ka arritur që të fitojë kundër Tiranës me shifrat 2-0. Mingo realizoi golin e parë në të 19, ndërsa Solodovnicov dyfishoi shifrat në të 59. Pavarësisht dëshirës së Tiranës për të ngushtuar shifrat, bardheblutë i falen faktit se gjysmëfinalja do të luhet me dy ndeshje, duke pasur ende shpresë në kthim.

Nga krahu tjetër Egnatia ka fituar 1-0 kundër Vllaznisë. Goli i vetëm i takimit është shënuar nga Fernando në minutën e 30. Vetëm pesë minuta pas këtij goli, Stojanovic do të dilte me karton të kuq duke e lënë Vllazninë me 10 lojtarë. Ndërkohë në minutën e 79, Hakaj do të merrte karton të kuq pas një ndërhyrje të gabuar, duke bërë që Vllaznia ta mbyll ndeshjen me 9 lojtarë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:

Tetova: “E kërkuam golin, por e kërkuam shumë avash në pjesën e dytë. Në pjesën e parë i kishim mundësitë, por nuk mundëm. Është një fitore gjithsesi dhe do të shohim se çfarë mund të bëjmë më mirë në pjesën e dytë. Të vjen keq për mënyrën sesi shkoi loja, Vllaznia ishte për shumë kohë me një lojtar më pak. I kërkova lojtarëve që të lëviznin topin sa më shpejt që të krijonim hapësira në mbrojtjen e tyre. Por te Vllaznia i kishim marrë mirë masat. Kartonët e kuq e prishën ekuilibrin e ndeshjes, në momentet e para ne ishim në qarkullim të topit”.

Fagu: “Përvec dy momenteve të golit që pësuam pasi nuk ishim të kujdesshëm, e kishim lojën në kontroll. Gabonim vetëm në momentin e konkretizimit, nuk ishim të qartë. Sigurisht që ne e vlerësuam shumë këtë ndeshje pasi është një trofe për t’u fituar, Kupa është trofeu i dytë më i rëndësishëm. Edhe trysnia e rezultatit të fut në presion. Më pëlqeu mënyra si luajtëm sot, më vjen keq që pësojmë gola shumë të thjeshtë, ky është meraku i vetëm. Sigurisht që nëse vazhdojmë të luajmë si bëmë sot, duke minimizuar gabimet, kualifikimi është i mundur”.

Qatip Osmani: “Ky rezultat na jep ende shpresë për ndeshjen e kthimit. U munduam të organizonim sulme të shpejta nëpërmjet Grudës dhe Malës, por diçka nuk funksiononte. Stojanovic dhe Hakaj me të kuqe? Kur i morën ato kartonët, menjëherë mendova ndeshjen e kthimit. Mendoj se kemi lojtarë zëvendësues që mos të ndihet shumë mungesa e tyre. Duhet që të mendojmë pozitivisht, pavarësisht se janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për ekipin tonë, duhet t’i zëvendësojmë. Sigurisht që të evitojmë ato gabimet e bëra në pjesën e parë”.