Gazetari e pyet nëse Kupa mund të shkojë në Kukës, trajneri Devolli preket dhe largohet nga intervista

Kukësi ka marrë një tjetër fitore të madhe dhe të papritur. Pasi eliminuan Partizanin nga Kupa e Shqipërisë, verilindorët duken në të njëjtën rrugë edhe me ekipin tjetër kryeqytetas, Tiranën. Ekipi i drejtuar nga Devolli është në prag rënie nga Superiorja, por shumë afër finales së Kupës.

Në ditën e sotme ky ekip ka arritur që të fitojë kundër Tiranës me shifrat 2-0. Mingo realizoi golin e parë në të 19, ndërsa Solodovnicov dyfishoi shifrat në të 59. Pavarësisht dëshirës së Tiranës për të ngushtuar shifrat, bardheblutë i falen faktit se gjysmëfinalja do të luhet me dy ndeshje, duke pasur ende shpresë në kthim.

Nga krahu tjetër Egnatia ka fituar 1-0 kundër Vllaznisë. Goli i vetëm i takimit është shënuar nga Fernando në minutën e 30. Vetëm pesë minuta pas këtij goli, Stojanovic do të dilte me karton të kuq duke e lënë Vllazninë me 10 lojtarë. Ndërkohë në minutën e 79, Hakaj do të merrte karton të kuq pas një ndërhyrje të gabuar, duke bërë që Vllaznia ta mbyll ndeshjen me 9 lojtarë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:

Devolli: “Kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, por asgjë nuk ka mbaruar. Jemi përballë Tiranës që ka cilësi, trofe dhe traditë. Duhet të jemi të përulur, agresiv, të markojmë, të dublojmë dhe të sakrifikojmë. Puthja pas golit? Kemi edhe njerëz të afërt, ishte për një njeri të dashur. Kur luajmë për njëri-tjetrin, jemi shumë të fortë, na besoni që jemi shumë të fortë”.

Teksa gazetari e pyet Devollin nëse trajneri ka filluar ta besojë se Kupa mund të vijë në Kukës, trajneri preket dhe largohet nga intervista.

Tetova: “E kërkuam golin, por e kërkuam shumë avash në pjesën e dytë. Në pjesën e parë i kishim mundësitë, por nuk mundëm. Është një fitore gjithsesi dhe do të shohim se çfarë mund të bëjmë më mirë në pjesën e dytë. Të vjen keq për mënyrën sesi shkoi loja, Vllaznia ishte për shumë kohë me një lojtar më pak. I kërkova lojtarëve që të lëviznin topin sa më shpejt që të krijonim hapësira në mbrojtjen e tyre. Por te Vllaznia i kishim marrë mirë masat. Kartonët e kuq e prishën ekuilibrin e ndeshjes, në momentet e para ne ishim në qarkullim të topit”.

Fagu: “Përvec dy momenteve të golit që pësuam pasi nuk ishim të kujdesshëm, e kishim lojën në kontroll. Gabonim vetëm në momentin e konkretizimit, nuk ishim të qartë. Sigurisht që ne e vlerësuam shumë këtë ndeshje pasi është një trofe për t’u fituar, Kupa është trofeu i dytë më i rëndësishëm. Edhe trysnia e rezultatit të fut në presion. Më pëlqeu mënyra si luajtëm sot, më vjen keq që pësojmë gola shumë të thjeshtë, ky është meraku i vetëm. Sigurisht që nëse vazhdojmë të luajmë si bëmë sot, duke minimizuar gabimet, kualifikimi është i mundur”.

Qatip Osmani: “Ky rezultat na jep ende shpresë për ndeshjen e kthimit. U munduam të organizonim sulme të shpejta nëpërmjet Grudës dhe Malës, por diçka nuk funksiononte. Stojanovic dhe Hakaj me të kuqe? Kur i morën ato kartonët, menjëherë mendova ndeshjen e kthimit. Mendoj se kemi lojtarë zëvendësues që mos të ndihet shumë mungesa e tyre. Duhet që të mendojmë pozitivisht, pavarësisht se janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për ekipin tonë, duhet t’i zëvendësojmë. Sigurisht që të evitojmë ato gabimet e bëra në pjesën e parë”.