Pesë futbollistët e shumëpërfolur në Kombëtare dhe që kanë marrë vëmendjen në media janë pikërisht legjionarët kryesorë që munguan në listën e Shqipërisë për dy ndeshjet e radhës të Ligës së Kombeve. Hysaj, Roshi, Sadiku, Balaj dhe Cikalleshi janë futbollistët që nuk do të jenë pjesë e këtyre takimeve dhe Reja e ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për ndonjë vendim disiplinor.
Megjithatë në shtypin e shkruar janë të sigurt se gjithçka lidhet me mbërritjen në dasmën e Odise Roshit që prodhoi edhe performancën zhgënjyese ndaj Lituanisë. Ndërkohë në një intervistë për “Report TV”, Erjon Bogdani thekson se Shqipëria nuk e ka luksin që t’i largojë në këtë mënyrë dhe duhet që gjithçka të zgjidhet brenda një kohe të shkurtër.
“Çdo ekip, jo vetëm ekipi kombëtar ka një rregullore dhe unë jam me trajnerin në rast se kjo rregullore thyhet pavarësisht nga rëndësia që lojtarët kanë në skuadër. Megjithatë unë nuk mund të flas për këto lojtarë sepse kanë qenë shokë skuadre me mua, I kam stërvitur dhe unë, Por kanë inteligjencën e duhur për të kërkuar falje dhe për t’i sheshuar sa më shumë këto keqkuptime, sepse Shqipëria nuk e ka luksin për t’I larguar këto lojtarë”, u shpreh Bogdani. /Sport Ekspres/