Titulli do të diskutohet në javën e fundit të Superiores atje ku do të kemi përballjet Apolonia-Teuta dhe Vllaznia-Laçi. Shkodranët duhet të fitojnë me një gol më tepër se durrsakët për të triumfuar në këtë sezon. Misioni është shumë i vështirë, thuajse i pamundur, duke parë vështirësinë që kanë këto ekipe që pretendojnë për titullin kampion.
Ndërkohë i ftuar në “Skaner” që transmetohet në “MCN TV”, Nevil Dede kujton sezonin 2011-2012 kur Teuta la titullin pas barazimit me Kamzën që ndodhej në vendet e fundit. “Është po i njëjti klub, me po të njëjtin president, që gaboi me një klub të rënë nga kategoria. Nuk mund të ndodhi i njëjti gabim dy herë. Po flas për rastin me Kamzën. I ka ndodhur Teutës më parë. Nuk mund të ndodhi dy herë i njëjti gabim. Kur isha i vogël e vura dorën te soba dhe e dogja, nuk e vendosja më pastaj”, tha Dede.
Gjithashtu nuk i jepet asnjë shans Vllaznisë: “Në letër Vllaznia nuk ka asnjë shans. Vendi i parë me vendin e fundit dhe vendi i dytë që luan me vendin e tretë. Nuk mundet Laçi thellë. Duhet të jemi pak edhe të vërtetë, nuk ka shans të ndodhi”, u shpreh Dede. /Sport Ekspres/