Eros Grezda është një nga lojtarët më të rëndësishëm të kombëtares kuqezi. Mesfushori i avancuar, verën e këtij viti kaloi në Skoci, në radhët e Rejnxhërsit. Aventura skoceze për 23-vjeçarin, deri në këto momente ka shkuar mjaft mirë, teksa ka shënuar dhe një dygolësh në ndeshjen ndaj Motheruellit.
Ditën e sotme, Grezda ka dhënë një intervistë në faqen zyrtare të klubit, ku ka folur rreth jetës së tij të re në Gllasgou dhe ambientimit të tij. Lojtari nga Gjakova, duket se i pëlqen çdo gjë rreth qytetit dhe klubit dhe se ndihet mjaft i lumtur që është pjesë e Rejnxhërsit.
“Më pëlqen gjithçka këtu, klubi, stafi, lojtarët, qyteti, kështu jam i lumtur që jam pjesë e Rejnxhërsit. Gjithashtu, ushqimi, restorantet dhe njerëzit këtu më pëlqejnë. E vetmja gjë që nuk më pëlqen, janë kushtet atmosferike. Megjithatë, kam filluar të mësohem edhe me këtë gjë”.