Një skuadër homogjene, e përbërë nga yje me origjinë të ndryshme, por që shkëlqejnë për Belgjikën. Përfaqësuesja e kthyer në një prej skuadrave më të talentuara dhe më të forta në botë, ka kontribuuar që të bashkojë njerëzit pa dallim kombësie dhe race dhe një prej atyre që ndikuan ishte padyshim Vinsent Kompani.
Atë që mbrojtësi i Mançester Sitit e nisi në fushë, e vazhdoi babai i tij, Pier. Ky i fundit ndryshoi përgjithmonë historinë e Belgjikës, duke u bërë kryebashkiaku i parë me ngjyrë në vend. Pier Kompani fitoi zgjedhjet lokale në Ganshoren.
“Historike! Jemi krenarë me ty baba. Erdhe si refugjat nga Kongo në vitin 1975, ndërsa tani fitove besimin e njerëzve, që të zgjodhën kryebashkiakun e parë me ngjyrë në Belgjikë”, shkruante mbrojtësi 32-vjeçar i Mançester Sitit, në profilin e tij në Instagram. Një postim, të cilit i’u përgjigj edhe vëllai i Vinsent, Fransua Kompani, që luan te Roselar.
“Ishte një kohë e gjatë, por ky është progres”, shkruajti ai. Pier Kompani nuk është i ri në politikë. Ai e nisi karrierën në vitin 2006 si këshilltar, ndërsa në vitin 2014 ishte pjesë e Parlamentit Rajonal të Brukselit. Tani, pas 12 vitesh, ai u bë kryebashkiak i Ganshoren, një bashki e cila është pjesë e Brukselit.