Këngëtarja e famshme amerikane Madona prej një viti jeton në Europë, më saktë në Lisbonë, me 4 nga 6 fëmijët e saj. Ylli i muzikës pop mbush 60 vjeç më 16 gusht dhe ka dhënë një intervistë të gjatë për Vogue Italia, ku ndër të tjera ka zbuluar arsyen pse ka zgjedhur të jetojë në Lisbonë.
“Im bir Dejvid, që më 24 shtator do të mbushë 13 vjeç, dëshiron të luajë futboll profesionist kur të rritet. Bëra gjithçka për t’i gjetur shkollat më të mira të futbollit, me trajnerët më të mirë, por Amerika është paksa e prapambetur në këtë fushë, krahasuar me pjesën tjetër të botës. E shihja që nuk ishte i kënaqur dhe nuk arrinte atë që dëshironte dhe mendova se ishte momenti i duhur për ta sjellë në Europë, për një ndryshim”.
PSE LISBONËN? Madona zgjodhi Portugalinë, duke shmangur akademinë e Juventusit she atë të Barcelonës: “Zgjedhja ishte mes Juventus Academy, Barcelonës dhe Benfikës apo Sportingut në Lisbonë. Barcelona është qytet fantastik, edhe Torino më pëlqen, por doja një qytet të përshtatshëm për fëmijët e mi, edhe ata të vegjlit. Në Lisbonë është më e lehtë të zbavitesh, mes gjelbërimit dhe hapësirës, ndaj zgjodhëm Benfikën”.