Apolonia mposhti në Berat Tomorin me rezultatin 1-4 dhe nëse ndokush mendonte se fierakët do toleronin, rezultati i ndeshje ia jep përgjigjen çdokujt. Kapiteni i bardhejeshilëve, mesfushori Taulant Hysenshahaj, ka folur për SportEkspres.com dhe është krejtësisht i qartë.
“Apolonia e fitoi me meritë ndeshjen në Berat. Aty treguam respekt e seriozitet për garën e fanellën tonë. Besoj se këtë herë është më shumë i qartë fakti që ne nuk vodhëm asgjë, thjesht fituam në fushë. Të gjitha deklarimet e tjera i shpërfillim, sepse ato nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë mision i Apolonisë”, u shpreh fillimisht mesfushori.
Në Berat janë të bindur se ndaj Elbasanit po tolerohet. Verdheblutë ndeshjen e fundit mposhtën në transfertë Pogradecin, kurse këtë herë përballen me Apoloninë në shtëpi. Hysenshahaj thekson se Tomori justifikohet për rezultatet që ka marrë dhe premton që ndaj Elbasanit do bëjnë më të mirën.
“Tomori kërkon që të hedhë shashka justifikuese për situatën e vështirë në zonën e mbijetesës. Edhe në Elbasan do të shkojmë të bëjmë detyrën tonë si profesionistë. Futbolli është i krijuar të luhet në fushë dhe aty tregohet se sa respektohet gara dhe kundërshtarët”, përfundon Hysenshahaj deklaratën e tij.
AGRON KAJA