Shqipëria U19 zhvilloi dy ndeshje miqësore me Islandën U19. Takimin e parë kuqezinjtë e fituan 1-0, ndërkohë që sot u thyen me shifrat 1-4. Trajneri Erjon Bogdani, pas ndeshjes u shpreh se nuk është shumë i shqetësuar, pasi janë vetëm miqësore.
Gjithsesi ai theksoi se është më mirë që një humbje e tillë u ndodhi në këtë moment para kualifikueseve të Europianit që zhvillohen në muajin tetor në Shqipëri.“Është e vërtetë që kjo humbje është një leksion. Nuk jam shumë i preokupuar, pasi siç fituam ndeshjen e parë, që nuk isha shumë i gëzuar, edhe kjo ndeshje ishte një miqësore” u shpreh fillimisht Bogdani.
“U përpoqa të shikoj gjendjen e lojtarëve që kisha grumbulluar. Kjo që ndodhi është më mirë që ndodhi tani, sepse edhe lojtarët duhet të përqendrohen më shumë. Kjo pasi grupi është i vështirë, luajmë kundër Ukrainës, Sllovakisë dhe Norvegjisë. Është një grup me tre skuadra të forta dhe duhet shumë përqendrim dhe që të ndjekin detyrat”, shtoi trajneri i Shqipërisë U19 në prononcimin e dhënë pas ndeshjes në Supersport.
Ish-sulmuesi më tej deklaroi se duhet shumë punë për lojtarët në klube, pasi me kombëtaren punohet në periudha të shkurtra: “Duhet të marrim leksione nga minutat e mira që bëmë. Megjithatë këtu punohet vetëm një javë, më shumë punë duhet në skuadrat ku ata luajnë. këto 20 ditë do jem në udhëtim duke parë gjendjen e lojtarëve. Do të marr lojtarët që e meritojnë të luajnë”.
Sa i takon lojtarëve që do të ftohen për kualifikueset, nuk është se priten surpriza të mëdha: “Baza e ekipit kjo është. Megjithatë përforcime mund të ketë, pasi nëse ndonjë lojtar paraqitet shumë mirë, atëherë dyert e kombëtares janë të hapura”.