Kundërshtari ishte më i vështiri i mundshëm. Al-Hilali, kampion në fuqi i Ligës Profesioniste në Arabinë Saudite. Pikërisht përballë ekipit që mban kurorën, dyshja Besnik Hasi dhe Ferhan Hasani pësuan edhe humbjen e parë me Al Raedi.
Ekipi i shqiptarëve u mposht 3-1 në shtëpi, nga ekipi më i mirë saudit, në një ndeshje që u konfirmua po aq e vështirë sa parashikohej në letër. Me Hasanin titullar, skuadra e dejtuar nga Hasi rezistoi deri në fundin e pjesës së parë.
Al-Hilali kaloi në avantazh në minutën e 41-të me Gomis, ndërsa përpara pushimit ndërmjet pjesëve Abdulrahman dyfishoi rezultatin. Goli i Al Raedit me Hamudan, që shkurtoi shifrat në 2-1 shërbeu pak, sepse vetëm pak sekonda më pas miqtë realizuan edhe golin e tretë.
Ferhan Hasani u zëvendësua pas afro një ore lojë, ndërsa rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Me këtë humbje, Al Raedi i Besnik Hasit zbret në zonën rënies nga kategoria, ndërsa pas dy javëve të para të kampionatit, ish-kapiteni i Kombëtares ende nuk e ka festuar suksesin e parë në Arabinë Saudite.