Një humbje shtëpiake si ajo ndaj Bylisit fundjavën e kaluar natyrisht që djeg, sepse Tomori ka lëshuar sërish terren në renditje. Gjithsesi, duke vlerësuar punën mjaft profesionale të teknikut aktual Bledar Devolli, klubi dhe tifozët i japin teknikut gjirokastrit një mbështetje maksimale, si një tregues i punës që ai zhvillon në drejtimin e Tomorit. Edhe një humbje të tillë si ajo ndaj Bylisit kurrsesi nuk mund të fajësoj drejtuesin e skuadrës që këtë kontingjent futbollistësh e gjeti të gatshëm në momentin kur kampionati kishte nisur. Pas një analize që kanë zhvilluar me skuadrën, menjëherë pas seancës së parë stërvitore të ditës së hënë tekniku Devolli ka folur për Sport Ekspres.
DEVOLLI – “Unë jam një trajner profesionist, dhe si i tillë sado vlerësime apo mbështetje maksimale që të marr nga opinioni futbolldashës vendas, sërish me shumë modesti e them se nuk e përjashtoj aspak veten nga përgjegjësia e humbjes me Bylisin. Duke i parë gjërat me më shumë qetësi dhe vlerësime objektive, them se u vetëndëshkuam qysh në fillim për gabime amatore tonat, dhe jo me një, por me dy gola në 20 minutat e para.
“Për aq sa reaguam, në pjesën e dytë ishim shumë afër barazimit. Por kjo pak rëndësi ka tani, pasi së bashku me skuadrën po përgatitemi për ndeshjen me Elbasanin në transfertë. Fillimisht duhet të kuptojnë futbollistët e mi se stërvitja gjatë javës, është pasqyrë e asaj që japim në ndeshje zyrtare, kështu që unë pres një punë sa më profesionale dhe pse jo një reagim pozitiv këtë javë, pasi i kemi të gjitha mundësitë që të rikthehemi tek fitorja”, ka përfunduar tekniku Devolli.
Edi Spahiu