Një mungesë e madhe, por edhe një rikthim i rëndësishëm. Partizani udhëton drejt Vlorës për të vijuar ecurinë pozitive në Kategorinë Superiore dhe për të qëndruar në krye të kampionatit. Pushimi për ndeshjet ndërkombëtare i ka shërbyer kryeqytetasve për të përmirësuar gjendjen fizike të lojtarëve, por jo për kapitenin Alban Hoxha.
Pavarësisht terapisë intensive, portieri i të kuqve nuk është rikuperuar ende nga dëmtimi në gju dhe nuk pritet të jetë gati për ndeshjen e kësaj të premteje. Ndaj Flamurtarit, mes shtyllave do të luajë “gardiani” i dytë Xhika.
Lajmi i keq, për mungesën e një prej lojtarëve më të rëndësishëm, mund të shoqërohet me një lajm të mirë. Rubin Hebaj mund të luajë titullar përballë vlonjatëve. Pasi shkëlqeu me tre gola në dy ndeshjet miqësore të Kombëtares Shpresa ndaj Maltës, talenti duket se ka rigjetur formën më të mirë dhe besimin.
Trajneri Skënder Gega synon ta shfrytëzojë momentin pozitiv dhe po mendon ta aktivizojë sulmuesin përkrah Bardhit në repartin ofensiv. Kjo do të bënte që Mensah të ulet në stol. Takimi në Vlorë është një shans i përkryer për Hebajn, që më në fund të marrë vendin e tij në hirearkinë e sulmit të kuq, për të qenë ai “bomberi” i skuadrës.