Hoxhaj i njeh mirë “demat”: Dua t’i shënoj sërish Partizanit

Sulmuesi vlonjat me Bylisin i shënonte tre herë në kryeqytet, ndërkohë që këtë vit është pjesë e Flamurtarit. “Fitorja me Kamzën na largoi presionin. Synojmë tri pikët”

Elton Nika

Flamurtari arriti ditën e diel një fitore shumë të rëndësishme dhe jo pa vështirësi përballë Kamzës. Nuk ishte si zakonisht Bushiç, autor i pesë golave deri më tani, por Bicaj ai që i dha fitoren skuadrës. Në fakt takimi ishte mjaft i vështirë, ndërsa në pjesën e dytë Duro hodhi në fushë që nga fillimi edhe sulmuesin Ardit Hoxhaj, duke treguar se qëllimi për këtë takim ishte vetëm fitorja. Vlonjati, i cili ka luajtur dhe për Bylisin e Skënderbeun, pranon rëndësinë e fitores përballë skuadrës së Kamzës, por mbi të gjitha faktin se skuadra ka luajtur mirë dhe duhet të vijojë në këtë rrugë. Ardit Hoxhaj pranon se në ndeshjet në Vlorë lojtarët ndihen ndoshta edhe disi më nën presion, për shkak se kërkohet jo vetëm fitorja, por edhe lojë e bukur.

“Kamza erdhi pa presion në Vlorë. Vinin pas dy fitoreve radhazi dhe natyrisht kishin edhe optimizmin me vete. Pas tre barazimeve ne duhej të kërkonim vetëm fitoren dhe mendoj se Flamurtari kishte më shumë presion për këtë takim. Megjithatë më duhet të them se Kamza ka një ekip shumë të mirë, por në Vlorë ata menduan më shumë që të mbroheshin, me qëllimin që të kapnin çfarë të kapnin. Për këtë ne patëm vështirësi për të gjetur hapësira përpara, pasi kundërshtari mendoi më shumë për mbrojtjen dhe shumë pak për të sulmuar drejt portës sonë. Deri më tani kemi marrë mjaft pikë edhe jashtë fushe, ndërsa mendoj se jemi duke zhvilluar një kampionat të mirë, por duhet të shohim ndeshje pas ndeshje”, thotë fillimisht Hoxhaj, që më pas thekson se në ndeshjet brenda presioni është më i madh:

“Kur luajmë në Vlorë është gjithmonë më e vështirë se sa kur luajmë në transfertë. Jemi në presion nga tifozët, që kërkojnë fitoren kur ne luajmë në Vlorë. Duke marrë pikët fitohet edhe qetësia. Këtu nuk kënaqen me një fitore 1-0, por mbi të gjitha duan lojën e bukur. Në këtë moment duhet mbi të gjitha të marrim pikë. Jemi një skuadër e re, me lojtarë të afruar më shumë gjatë merkatos së verës dhe duhet koha e mjaftueshme që po vjen dalëngadalë, ndaj në këtë moment të marrim pikët mbi të gjitha. Nga ndeshja në ndeshje do të fitojmë dhe qetësinë për të zhvilluar lojë të bukur”.

PARTIZANI – Më Bylisin Hoxhaj u bë një makth për të kuqtë, pasi në dy ndeshje në “Qemal Stafa” u realizoi tre gola. “Nuk ka asnjë ndeshje të lehtë në këtë kampionat, nuk ka asnjë kundërshtar që nuk të krijon vështirësi, aq më tepër kur flitet për emrin e Partizanit. Megjithatë do të tentojmë gjithçka”, thotë sulmuesi, që tregon se janë të qetë pasi mundën Kamzën.

“Për ndeshjen me Partizanin jemi më të qetë. Nëse nuk do të merrnim tre pikë me Kamzën nuk do të ishim të qetë dhe do të na shtohej presioni. Me Partizanin do të luajmë për të fituar. Personalisht unë kam histori të mirë me Partizanin. Unë vetë motivohesha kur shënoja ndaj Partizanit. Me Bylisin i kam shënuar tre gola vetëm Partizanit, ndaj them se kam kujtime të bukura nga kjo skuadër. Shpresoj që t’i shënoj sërish nëse do të aktivizohem. Duhet që të marrin fitoren e radhës me Partizanin, por mbi të gjitha në fushë të tregojmë vazhdimësi. Skuadra tani është më e qetë dhe jemi një skuadër që kemi në gjirin tonë lojtarë me mjaft potencial dhe karakter. Kalojmë mirë me njëri-tjetrin. Është e rëndësishme dhe është një ‘armë’ e mirë për ne që jemi bashkë. Do të ketë minuta për të gjithë dhe kampionati është i gjatë dhe nuk ka pse të ketë qejfmbetje në radhët tona. Duhet që të japim maksimumin tonë”, deklaron sulmuesi vlonjat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online