Homazhet në “Elbasan Arena” për Bujar Gogunjën, i jepet lamtumira e fundit ish-portierit legjendar

Është përcjellë sot për në banesën e fundit ish-portieri i famshëm i Elbasanit, Bujar Gogunja, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 65-vjeçare pas një beteje me sëmundjen e rëndë.

Homazhet në nderim të Gogunjës u zhvilluan sot nën kujdesin e Federatës Shqiptare të Futbollit në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërkohë që ishin të shumtë miqtë, qytetarët dhe futbolldashësit që morën pjesë në këtë ceremoni për të nderuar këtë figurë legjendare të futbollit shqiptar.

Ish-portieri rekordmen, kampion me Labinotin e Elbasanit në vitin 1983-1984, ka hyrë në histori për rekordin e minutave pa pësuar gol në futbollin shqiptar, plot 1037 minuta. Gogunja ka qenë pjesë edhe në titullin e dytë kampion të Elbasanit në sezonin 2005-2006, duke dhënë eksperiencën e tij të çmuar në postin e trajnerit të portierëve.

Gjithashtu, ai ka qenë trajner i portierëve edhe në ekipet e moshave të Kombëtares, si edhe në përgatitjen e brezave të rinj futbollistësh në qytetin e Elbasanit. Të pranishëm në homazhe për të nderuar figurën e Gogunjës ishin edhe përfaqësuesit të FSHF-së dhe figura të njohura të futbollit shqiptar si Sulejman Mema dhe Sulejman Demollari.

Pas homazheve ish-trajneri i njohur dhe zyrtari i FSHF-së, Sulejman Mema shprehu ngushëllimet për këtë humbje të madhe, teksa vlerësoi edhe kontributin që Bujar Gogunja ka dhënë ndër vite për futbollin e luajtur dhe si trajner në Elbasan.

“Për Gogunjën mund të flas me superlativa, pasi në radhë të parë ishte njeri i mirë dhe futbollist nga më të mirët e asaj kohe kur edhe ne kemi luajtur futboll. Kampion dhe rekordmen, ai njeri në të gjitha kuptimet për mua ka qenë model, duke iu referuar marrëdhënieve që ka pasur me të tjerët, kontributin që ka dhënë dhe Elbasani ka humbur një njeri të mirë dhe specialistin që do t’i shërbente akoma futbollit”, tha Mema, ndërsa edhe Demollari ka vlerësuar karrierën dhe kontributin e vyer që Gogunja dha ndër vite për futbollin shqiptar dhe Elbasanin.

“Një ditë zie kjo e sotmja për komunitetin e futbollit dhe Elbasanin. Një portier i talentuar, i cili dha shumë, protagonist i Elbasanit kampion në vitin 1984, kur edhe unë luaja futboll, por mbi të gjitha mbaj mend gjithmonë se ai ishte një djalë shumë punëtor edhe kur erdhi në ekipin kombëtar dhe mbi të gjitha fjalëpak. Do ta mbaj mend gjithmonë për elegancën dhe zgjuarsinë e tij si portier dhe në atë vit që Elbasani u shpall kampion Gogunja ishte një ndër protagonistët kryesorë dhe do të mbetet një legjendë e futbollit”, – tha Demollari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online