Historike, Vllaznia e të rinjve shkon në UEFA Youth League

Shkodranët janë zyrtarisht pjesë e turneut europian. “Presim hedhjen e shortit. Shpresojmë të shesim ndonjë lojtar. Shpenzimet janë të Bashkisë. Mund të zhvillojmë një fazë përgatitore

Eraldo Harlicaj

Ndoshta nuk e meriton kush më shumë se Vllaznia të ishte ekipi i parë shqiptar që merr pjesë në një kompeticion evropian për të rinj. Kampionët e Shqipërisë për moshën U-19 kanë hedhur hapin e madh dhe historik për futbollin e moshave në vendin tonë, pasi për herë të parë do të marrin pjesë në UEFA Youth League. Një turne i ngjashëm me Champions Leaguen e të rriturve, por organizohet për moshat.

PJESËMARRJA – “Sport Ekspres” mëson se skuadra shkodrane e ka marrë zyrtarisht miratimin për të marrë pjesë në këtë turne. Ekipi i drejtuar nga trajneri Elvin Beqiri rreshtohet tashmë mes akademive më të rëndësishme të Europës. UEFA ka dërguar edhe formularët e fundit para disa ditësh në klubin shkodran dhe pas plotësimit të tyre edhe me ndihmën e FSHF-së është marrë edhe miratimi përfundimtar.

HASANI – Në lidhje me këtë arritje ka folur drejtori i Akademisë së Vllaznisë, Alban Hasani. Padyshim meritat për këtë sukses janë edhe të tijat. “Faleminderit për interesimin dhe keni të drejtë në lajmin tuaj dhe më lejoni që nëpërmjet ‘Sport Ekspres’ t’u përcjell lajmin të gjithëve se Vllaznia tashmë është pjesë e UEFA Youth League. Pasi plotësuam të gjithë dokumentacionin e nevojshëm më në fund ia dolëm dhe do të luajmë në Europë edhe me të rinj. Një moment historik për qytetin tonë dhe gjithë Shqipërinë. Falënderoj edhe FSHF-në dhe Ilir Shulkun për ndihmën. Shorti hidhet me datë 6 korrik në Nion të Zvicrës, ndërsa ndeshjet janë në fund të gushtit. Kemi kohë për t’u përgatitur dhe madje mund të zhvillojmë edhe një fazë përgatitore jashtë vendit. Ndeshjet janë vajtje-ardhje me sistem eliminimi. Do të jenë 32 ekipe që do të marrim pjesë në turin paraeliminator”, – shprehet fillimisht Hasani.

MASAT DHE PRITSHMËRITË – “Ne si klub do të marrim të gjitha masat dhe do të përfaqësohemi ashtu siç i ka hije këtij qyteti. Ne pretendojmë që përveç përvojës së parë të pjesëmarrjes të paraqesim edhe elementin tonë të ri në sytë e menaxherëve të ndryshëm nga Evropa.

SHPENZIMET – “Me informacionet e para që kam ky turne nuk do të ketë të ardhura. Shpenzimet? Do t’i paguajë Bashkia dhe pastaj do t’i kthehen mbrapsht nga UEFA”.

AKADEMIA – “Viti që lamë pas ishte i vështirë dhe i suksesshëm, pasi dolëm kampion me U-19 dhe në finale me U-17. Dalja kampion me U-16 në grupin e veriut, dhe me U-13 dhe U-14. Dua të falënderoj të gjithë lojtarët, trajnerët dhe dy miqtë e mi Isuf Isufin dhe Lul Hysenin që na kanë ndihmuar dhe përkrahur vazhdimisht”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *