HISTORIKE/ Kosova dhe Shqipëria me një ligë të përbashkët, Edi Rama zbulon logon e kampionatit

0

Nga Klaudio Ndreca

Shqipëri e madhe konsiderohet nga fqinjët tanë që gjithmonë janë të frikësuar nga kjo ide e kthyer në realitet, por më saktësisht do të ishte të thuhej natyrale. Më në fund! Pas shumë vitesh pritje, Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në sport.

Këtë herë nuk flitet vetëm për një ide, të cilën e kemi raportuar disa muaj më parë, por për një vendim zyrtar. Federata Shqiptare e Basketbollit të Kosovës ka shpërndarë gjithë njoftimin e plotë ku tregon bashkimin që do të ketë me Shqipërinë për të krijuar “Ligën UNIKE”. Atje do të bëjnë pjesë katër ekipe nga Shqipëria që janë më të mirat dhe katër ekipe nga Kosova. Kjo ligë do të fillojë së shpejti dhe do të vendoset një çmim i konsiderueshëm për fituesin, në mënyrë që të zgjojë interesimin e tifozëve dhe sallat të stërmbushen, për t’ia rritur më tepër vlerën këtij projekti të madh që ka merr jetë.

Në ditën e enjte do të hidhet edhe firma përfundimtare për krijimin e kësaj lige. Sigurisht, të tilla momente nuk mund t’i shpëtojnë kryeministrit tonë si një politikan i zgjuar që di të kap momentet kyçe për të fituar vëmendjen, Edi Ramës, që do të jetë në sfondin kryesor dhe do të zbulojë logon e këtij kampionati. Kjo do të nxeh edhe gjakrat në Ballkan pasi do të merret me sfond politik, por kjo është gjëja e fundit që i intereson tifozëve shqiptarë. Shqipëria dhe Kosova bashkë, vetëm nëpërmjet sportit, në atë që politika ka dështuar me sukses gjithmonë. Po i’a mbërrijmë edhe kësaj dite! /Sport Ekspres/

Njoftimi i plotë

Të enjten, më 10 shtator, ora 19:00 në Tiranë do të nënshkruhet marrëveshja historike ndërmjet Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për themelimin e Ligës së basketbollit, mes dy shteteve, që do të quhet “Liga UNIKE”.

Marrëveshjen do ta nënshkruajnë, Presidenti i FSHB-së, Z. Avni Ponari, kryetari i FBK-së, Z. Arben Fetahu, në praninë e Znj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe Znj. Vlora Dumoshi, Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.

I pranishëm në këtë ceremoni do të jetë edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z.Edi Rama, i cili njëherësh do të zbulojë edhe logon e Ligës UNIKE.

Pas një pune të gjatë dhe intensive mes dy federatave, më në fund po jetësohet ëndrra për zhvillimin e veprimtarive basketbollistike të trevave shqiptare.

Në Ligën Unike do të marrin pjesë tetë skuadra, katër më të mirat nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria.

Liga Unike pritet të fillojë së shpejti, gjatë këtij edicioni sportiv, dhe parashikohet të jetë shumë interesante, duke zgjuar interesimin e tifozëve shqiptarë, kurse në parket pritet të ketë shumë rivalitet mes skuadrave që do të përfshihen në këtë kompeticion.

Po ashtu të enjten Bordi Drejtues i Ligës UNIKE që përbëhet nga 2 anëtarë të Bordeve të FSHB-së dhe FBK-së, si dhe nga 2 Sekretarët e Përgjithshëm të të dyja Federatave, do të mbajë mbledhjen e parë, ku do të emërojë edhe Kryetarin e Bordit Drejtues,  e do të emërojnë stafin e zyrës së Ligës UNIKE.

Duhet theksuar se ky është një hap i madh për basketbollin në hapësirat shqiptare duke formuar ligën UNIKE.

Ky projekt është përkrahur nga komuniteti i basktebollit në Shqipëri dhe Kosovë, duke e konsideruar atë si një event të shumëpritur dhe gjithashtu është përkrahur edhe nga FIBA Evropa.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.