Rafael Duamena është lojtari më i ri i Levantes. Sulmuesi 22-vjeçar ka një histori prekëse, pasi vetëm para një viti ishte pranë kalimit në Premier Ligë. Ganezi kishte gjetur akordin me ekipin e Brajton, por problemet në zemër shkatërruan gjithçka. Sulmuesi nuk i kaloi testet mjekësore dhe transferimi nuk ndodhi. Mjekët ia bënë të qartë: “Harroje futbollin, ti nuk mund të zbresësh më në fushë”. Moment i tmerrshëm, por Duamena nuk u dorëzua kurrë. Ai beson që nuk ekzistonte asnjë problem me zemrën e tij dhe pranon vullnetin e zotit. Blerja me e re e Levantes është i sinqertë dhe prezantohet në këtë mënyrë.
“Mjekët më thanë që nuk mund të luaja më futboll, por sot… unë jam këtu. Nuk ndjej presion dhe jam i mbushur plot gëzim. Para një viti gjeta akordin për të luajtur në Angli, por mjekët ma ndaluan të luaja futboll. Ndihem një lojtar i rëndësishëm, jam gati për aventurën spanjolle dhe rrethohem nga njerëz të mirë në një klub perfekt, kështu që jam shumë i lumtur që zoti më ndihmoi që të mos kaloja në Angli. Ai nuk dëshironte që të isha atje atë moment dhe ju siguroj që nuk kam patur asnjë problem me zemrën. Vullneti i zotit është që unë të jem sot te Levante.
La Liga është një nga kampionatet më të mira në botë dhe jam i lumtur që ndodhem këtu, ku do të rritem shumë si njeri, por edhe në aspektin sportiv. Më kërkoi edhe CSKA e Moskës, por më erdhi oferta e Levantes dhe vendosa ta pranoja. Ndihem i lumtur që do të përballem me klube si Barcelona dhe Real Madrid. Tashmë më pret një punë e madhe do të stërvitem fort që të arrij të jem pjesë e formacionit të ekipit”, përfundon sulmuesi 22-vjeçar, Rafael Duamena, i cili numëron dhe tri ndeshje dhe dy gola të shënuar me kombëtaren e Ganës.