Janar i 2016… Partizani luftonte me Skënderbeun për titullin kampion. Tifozët prisnin afrime “bombastike”, ndërsa drejtori sportiv i asaj kohe, Dritan Dervishi, sjell në zyrat e klubit, një djalë të brishtë nga Kosova. Ylber quhej, Ramadani mbiemrin.
I ri, pa ndonjë eksperiencë të madhe. I turpshëm, fjalët i dilnin me grep, ndërsa skepticizmi ishte i madh. Askush nuk besonte te ai, drejtuesit e morën si bast. Te të kuqtë kishte konflite të brendshme në atë periudhë. Palët sulmonin dhe haheshin me njëra-tjetrën, në këtë vorbull e pësoi dhe Ramadani.
Në momentin që u prezantua te “demat”, Starova hodhi bastin e tij: “Nuk ka konstrukt dhe fizik për lojtar. Ky nuk do të bëhet kurrë”, – tha dhe tundi grushtin mbi tavolinë. Presidenti Gaz Demi e pa dhe nuk i tha asnjë fjalë këshilltarit të tij. Ishte një prej atyre shikimeve plot dilema se ndoshta i jepte drejtë, ndoshta jo…
Ramadani nuk luajti në 6 muajt e parë te Partizani. Ishte një bast i humbur që stërvitej me ekipin e parë dhe luante me B-në. Afrimi i Adolfo Sormanit, ndoshta trajnerit më të mirë që ka patur Partizani ndër vite, solli në pah cilësitë e tij. Mesfushori u gozhdua në formacion dhe bëri mjaft mirë.
Tekniku italian e kthehu në beniamin. E mori me vete në Danimarkë, ku u shpallën kampion me Veljen në ligën e dytë, sivjet ndodhen në ligën e parë. 3 ndeshje, 2 barazimi, 1 fitore për ekipin e ngjitur nga një ligë më poshtë. Ramadani një ndër shtyllat e ekipit të tij, 22-vjeç. Një prej afrimeve më të mira të Superiores… Qëllofshim sërish në shenjë!