Nuk është hera e parë që ndodh në Superiore. E kanë provuar edhe klubet tjera. Dikush lëshon ndonjë top në fushë, ndonjtë tjetër refuzon ta japë kur bie afër pankinës. Këtë herë protagonisti ishte Albano Aleksi.
Mesfushori i Luftëtarit kishte tre kartonë të verdhë dhe së fundmi ka kryer një ndërhyrje në gju dhe do të mungojë edhe për pak kohë. Për këtë arsye në ndeshjen me Kamzën ai u përfshi në 18-she dhe e mori të verdhin e shumëdëshiruar.
Tanimë Aleksi ka katër të verdhë dhe nuk mund të luajë kundër Skënderbeut. Mungesën në këtë takim e kishte të sigurt për shkak të dëmtimit dhe shpresohet që pas pushimit të kampionatit prej kombëtares mesfushori të jetë i gatshëm.