Gonzalo Higuain fiton çmimin e parë individual si lojtar i Milanit. Nuk është një trofe prestigjoz, por “Tapiri i Artë”, nga emisioni satirik “Striscia la notizia”. Programi në bazë të të cilit janë ideuar emisionet investigative në Shqipëri, i dorëzoi sulmuesit çmimin satirik, pas penalltisë së humbur dhe kartonit të kuq të marrë në ndeshjen me Juventusin.
“Ashtu ndodhi. Ky është karakteri im si person”, tha “El Pipita” në Milanelo. Gazetari Stafeli nisi ta ngacmonte yllin argjentinas me pyetje të tipit: “Çfarë ndodhi kur shkuat në dhomat e zhveshjes? Çfarë bëri Gatuzo? Ju goditi me kamzhik?”.
“Jo!”, u përgjigj Higuain. “Por, jam i lumtur që ndjeva mbështetjen e tifozëve të Milanit, të klubit dhe të shokëve të ekipit. Kjo është diçka për të cilën ndihesh krenar”. Gazetari i “Striscia la notizia” vazhdoi ta ngacmonte sulmuesin, por argjentinasi e mori situatën me sportivitet, madje duke treguar një detaj interesant: “Ishte zbavitëse kur e mora ‘Tapirin e Artë’ në Torino dhe menjëherë nisa të shënoja gola”.