Pas barazimit 2-2 me Paris Seint Zhermen, ku Napoli ishte fare pranë befasisë së madhe, Karlo Ançeloti komentoi paraqitjen e skuadrës së tij, ndërsa nuk e fshehu zhgënjimin për fitoren e munguar. “Jemi të kënaqur për mënyrën se si luajtëm, por natyrisht që kemi keqardhje, sepse nuk arritëm të merrnim tre pikët”.
Trajneri vazhdoi: “Kundërshtarët tanë kanë shumë kualitet, por kjo nuk e zbeh paraqitjen tonë dhe skuadra duhet përgëzuar për këtë fakt. Megjithatë, kemi fatin më të madh, që ndeshjen më të rëndësishme e luajmë në shtëpi. Krijuam shumë raste, mbi të gjitha në fundin e pjesës së parë dhe mund të konkretizonim më mirë. Di Maria? I jam mirënjohës, por nëse në kohën shtesë e godiste jashtë topin do të ishte më mirë”.
Më tej Ançeloti komentoi edhe mënyrën si mund të luajë Napoli në ndeshjen në shtëpi ndaj francezëve. Rreth hipotezës se mund të përdorë të njëjtin formacion edhe në “San Paolo”, ai tha: “Mendoj se Paris Seint Zhermen nuk mund të ketë një ekuilibër fantastik me atë treshe sulmuese (Nejmar, Mbape dhe Kavani). Sipas gjasave, ata do të vijnë të luajnë, ashtu siç bën në pjesën e dytë të ndeshjes”.