Zyrtarizohen edhe Marku e Vodo. Portieri Bejte thekson se në stadiumin “Loni Papuçiu” skuadra do të ndihet si në shtëpi
Arjan Likja
Ervis Kaja, Kristi Marku, Aldo Vodo, Melis Haxhiu dhe Aldo Malaj janë tashmë zyrtarisht lojtarë të Lushnjës. Marrëveshja ishte arritur më parë, por firma në kontratë është hedhur dje dhe Lushnja ka mbyllur kështu listën e federimeve, që do ta dorëzojë sot në Federatën Shqiptare të Futbollit. Kaja dhe Marku përforcojnë mbrojtjen dhe Vodo mesfushën, ndërsa dy lojtarët e tjerë janë të rinj të perspektivës. Më parë janë bërë edhe afrime të tjera të rëndësishme si Bejte, Pepa, Gava, Prençi, Shkullaku dhe Meto, kështu që lushnjarët janë gati për një përfaqësim sa më dinjitoz në Superiore.
MUNGESAT – Duhen pak ditë nga ndeshja premierë me Vllazninë, që do të luhet në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, pasi stadiumi i Lushjës nuk është gati. Edhe pse skuadra lushnjare është duke punuar në kushte aspak profesionale, pasi nuk ka fushë, optimizmi është për një nisje të mbarë. Në kampin lushnjar janë të bindur se skuadra i ka të gjitha mundësitë ta nisë me fitore. Mungon për Lushnjën mesfushori Erlind Korreshi, i dëmtuar në miqësoren ndaj Leçes. Edhe Pepa konsiderohet mungesë deri në këtë moment. Ai është dënuar me dy ndeshje nga Disiplina pas javës së parafundit të kampionatit që shkoi. Një ndeshje e shleu javën e fundit dhe tani ka edhe një javë tjetër, që mund të shlyhet me pagesë. Nëse ndodh kështu, sulmuesi do të jetë në fushë në fundjavë, në të kundërt është tjetër mungesë. Për të qartësuar këtë çështje sekretari Zaka do të jetë sot në FSHF.
BEJTE – I rikthyer te Lushnja pas një shtegtimi 5-vjeçar në ekipe të tjera të Superiores e Kategorisë së Parë, portieri Ibrahim Bejte synon një sezon pozitiv me skuadrën e qytetit të tij. “Jemi në prag të kampionati dhe besoj se Lushnja është gati të ballafaqohet denjësisht në këtë garë të gjatë dhe të vështirë. Kalendari na vë përballë Vllaznisë javën e parë, në një ndeshje që për arsye që dihen do ta luajmë në stadiumin e Fierit. Por ky fakt nuk do të na pengojë aspak që të luajmë si në shtëpinë tonë dhe të pretendojmë pikët maksimale. Vllazninë e vlerësoj si një ekip me vlera dhe them se kjo përballje do jetë mjaft e fortë. Natyrisht, përveç vlerave që kanë ekipet, fitoren e përcaktojnë edhe faktorë të tjerë. Përcaktuese për mua janë loja kolektive dhe grinta sportive. Pavarësisht dëshirave tona, do të triumfojë ai ekip që i ka kryer punët më mirë”, – tha Bejte.