Hej, hidhini një sy Regi Lushkjas, kështu shënohet goli! Ankohemi se ne shqiptarët jemi “të mallkuar”, por nuk dimë të gjuajmë në portë

Nga Klaudio Ndreca

“Luajtëm bukur, por nuk fituam!” Kaq shumë herë e kemi dëgjuar këtë shprehje në Shqipëri, si me Kombëtaren dhe ekipet tona në Europë. Partizani u eliminua në mënyrë të pabesueshme me Bate Borisov, për të vendosur duart në kokë. Egnatia kishte po të njëjtin fat me një fund dramatik kundër Ararat.

Po e njëjta ishte situata edhe te Vllaznia, që pas një katastrofe në ndeshjen e parë, e kishte fatin kundër në ndeshjen e kthimit me Linfield. Prisni pak, sa për diskutim, a vërtet jemi kaq të pafat ne shqiptarët? Nëse do të ishte vetëm një ekip është mëse e kuptueshme, por tre, a nuk janë shumë?

Përse jemi “të mallkuar”? Apo në fakt na mungojnë lojtarët që dinë të shënojnë gol? Epo, është kaq e thjeshtë, na mungojnë realisht. FUTBOLLIT SHQIPTAR I MUNGOJNË LOJTARËT QË DINË TË SHËNOJNË GOL, PIKË!

Po, është kaq e thjeshtë. Nuk është rastësi që edhe në sezonin e shkuar dilnin 10 portierë yje me pritje të mrekullueshme, në të 10 ekipet e Superiores. Në çdo kampionat tjetër në botë, kjo nuk ndodh, është e pamundur. Zakonisht mund të spikasin 2 ose 3 portierë, por në kampionatin tonë ndodh që të gjithë portierët kthehen në yje.

Kjo jo për meritë të tyre, pa dashur të heqim vlerën e askujt, por për mungesë efikasiteti të lojtarëve tanë që porta u duket si një kuti shkrepëse. E duke e marrë panoramën në këtë mënyrë, Shqipëria është në këmbët e Regi Lushkjas.

Pavarësisht se për kë bëni tifoz, duhet të pranoni, në këtë tur të parë të Conference League, Lushkja tregoi se është nivel tjetër lojtari. Një gol brilant në ndeshjen e parë me Dinamo Batumin dhe një koordinim po aq perfekt ai në Gjeorgji.

Me gjithçka që na kanë parë sytë në këto kohë, çdo lojtar tjetër nga ekipet shqiptare do ta kishte dërguar topin jashtë ose në versionin më të mirë, ngjitur me shtyllën. Meritat e këtij kualifikimi shkojnë të gjitha për mesfushorin e Tiranës që i vetëm e kyçi në shtëpi Dinamon e Batumit. Lushkja i njeh mirë arenat e Europës, dikur i ka shënuar edhe Anderlehtit me fanellën e Laçit, më pas luajti edhe me Sherif Tiraspolin.

Përtej vlerësimeve maksimale që janë të gjitha për Lushkjan, nga ana tjetër duam që t’i japim një shembull të gjithë të tjerëve. Përpara se të ankohemi për mungesën e fatit, hidhini një sy Regit, kështu shënohet goli! /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online