Hebaj shton golat: Bëra mirë që kalova në Slloveni

Sulmuesi i talentuar shkodran ka mbërritur në kuotën e 3 golave në sezonin e ri. Nga transferimi në Slloveni, te kombëtarja dhe Vllaznia, Hebaj flet për gazetën

Është prodhimi i fundit i “minierës” shkodrane të futbollit, një sulmues modern, i aftë të luajë në disa role dhe i zoti me kokë dhe këmbë. Tani Rubin Hebaj pak nga pak po ia merr dorën futbollit slloven dhe po bëhet i rëndësishëm te Domzhale, që në fakt ka shumë besim tek ai dhe e konsideron një investim të rëndësishëm. Dje Hebaj shënoi golin e tij të tretë sezonal, në humbjen e pësuar për kupë në Mura. Shkodrani luajti nga minuta e parë dhe shënoi në minutën e 15-të, por Mura përmbysi gjithçka në 45 minutat e para, me Domzhalen që mbeti me 10 lojtarë. Përtej eliminimit nga kupa, Hebaj po tregon gjithë potencialin e vet, sepse ka shënuar 2 gola në kampionat në vetëm 117 minuta, ndërsa tashmë ka shënuar edhe në ndeshjen e parë që luan në kupë, me një mesatare impresionuese goli, një të tillë në më pak se 70 minuta. Me siguri Vllaznia e vajton talentin e vet, sepse këtë sezon nuk ka një pikë referimi në sulm dhe me një si Hebaj përpara do të shënonte me shumë lehtësi. “Sport Ekspres” ka biseduar me talentin shkodran pas ndeshjes së djeshme, duke u ndalur te karriera sllovene, por edhe te Vllaznia dhe kampionati shqiptar.

 

– Urime për golin, Rubin. Si po ecën aventura ne Slloveni?

– Mirë, shumë mirë, jam i kënaqur me gjithçka. Tani po stërvitem mirë, por edhe po luaj e po shënoj, çka më jep kënaqësi dyfish.

– Si ka ecur ambientimi, me jetën në Slloveni, me klubin, stafin e lojtarët?

– Jam ambientuar shpejt, edhe falë ndihmës së të gjithëve. Më kanë pritur shumë mirë dhe i falënderoj, sepse nuk është e lehtë të ndryshosh për herë të parë klub dhe njëkohësisht të ndryshosh edhe kampionat, ku duhet të mësosh gjuhën dhe mentalitetin.

– Keni shënuar 3 gola deri tani, por ende pa luajtur titullar në kampionat. Si e shpjegon, thjesht çështje kohe, apo konkurrenca është tepër e ashpër?

– Konkurrenca e madhe, kemi shumë lojtarë cilësorë në sulm. Dihet se sa më lart të shkosh në karrierë, aq më e madhe është konkurrenca, por besoj që me kalimin e kohës do kem edhe unë minutat e duhura.

– Duke u kthyer pas, a ishte zgjedhja e duhur Sllovenia dhe largimi nga Vllaznia?

– Për mendimin tim, largimi nga Vllaznia më bëri mirë, sepse këtu ka më shume gjera për të mësuar. Në momentin që te Domzhale nuk do të kem më hapësira përmirësimi dhe do të kem nevojë për sfida të reja, do tentoj te bej hapin tjetër në karrierë, por për momentin jam shume mirë dhe po punoj fort.

– A ke ndonjë peng nga koha kur luaje për Vllazninë?

I vetmi pishman janë golat sepse nuk arrita të shënoj shumë, edhe pse nuk kisha shume minuta. Përveç kësaj, këtu nuk ka aq interes sa në Shqipëri nga tifozët, pasi Domzhale është një qytet i vogël. Më mungon atmosfera e mrekullueshme e tifozëve në Shkodër.

– E ardhmja, ku e shihni veten?

– Së ardhmes nuk i dihet kurrë, ndaj nuk preferoj të bëj plane afatgjata e të thur ëndrra më kot. Së pari duhet të punoj shumë, që të kompletohet si futbollist dhe të kem një bilanc sa më pozitiv në Slloveni, pastaj të tjerat do të vijnë natyrshëm.

– Kombëtarja, tashmë po luan me U-21. A po të mungon goli i parë kuqezi?

– Një plus i madh për mua, si për çdo lojtar. Është një nder për mua të jem pjesë e ekipit U-21 dhe ndihem shumë mirë sa herë që grumbullohem. Jam në një moshë mjaft të re dhe kam edhe një edicion tjetër përpara, përveç aktualit, ndaj jam i qetë për sa u përket golave, pasi herët a vonë do të vijnë. Rëndësi ka që të luaj dhe të jap kontributin që pret trajneri prej meje, nëse arrijmë rezultate nuk ka rëndësi kush shënon.

– Përmende ëndrrat, që nuk duhen thurur më kot, por a është kombëtarja e madhe një ëndërr e së ardhmes?

– Nuk ka futbollist që nuk e ëndërron kombëtaren e madhe, kur është në moshë të re. Unë jam pjesë e kombëtares aktualisht dhe synimi i të gjithë ne që jemi tek U-21 është pikërisht arritja e kombëtares së madhe, për të punuar dhe për ta ngritur Shqipërinë sa më lart.

– Je në Slloveni, por na e merr mendja se e ndjek Superioren. Ndonjë përshtypje?

– Natyrisht, isha pjesë e kampionatit deri para pak muajsh dhe ende rrëqethem kur kujtoj ndeshjen e fundit të sezonit kundër Tiranës. Emocionet, gëzimi, tifozët në stadium, të gjitha këto nuk i harroj dot dhe kampionatin e kam ndjekur këto javë të para. I kam parë në përgjithësi rezultatet dhe komentet mbi javët e para të Superiores, nuk më duket se kanë ndryshuar shumë gjëra nga sezoni i shkuar, janë të njëjtët rivalë për titull, por uroj që Vllaznia ime të paraqitet më mirë se sezonin e fundit.

– Vllaznia e nisi mbarë, ka bërë blerje të rëndësishme, por u mund dhe mërziti gjithë Shkodrën në ndeshjen kundër Teutës.

– Më ka ardhur shumë keq për atë humbje, ndoshta më i drejtë ishte barazimi. Vllaznia ka bërë shumë ndryshime në verë dhe i duhet kohë, ndaj shpresoj që tifozët të mos shkurajohen, sepse dihet që me një humbje në shtëpi tifozët ftohen dhe largohen nga stadiumi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online