Armand Duka ka shumë shpresa për të ardhmen e futbollit në Shqipëri. President i Federatës Shqiptare të Futbollit që nga viti 2002 dhe një biznesmen i suksesshëm e i gjithanshëm, 58-vjeçari po udhëheq përpjekjet madhore për të zhvilluar infrastrukturën e futbollit në vend dhe ka qenë një nga anëtarët më të spikatur të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që nga zgjedhja e tij në 2019-n.
Në intervistën e tij për revistën zyrtare të UEFA-s “Direct”, presidenti i FSHF-së analizon situatën aktuale të futbollit në vend, shpjegon se si ndihma e UEFA-s ka qenë thelbësore në përparimin e futbollit të Shqipërisë – dhe pret me padurim për “një moment historik” kur kryeqyteti shqiptar, Tirana, të mirëpresë finalen e parë të “UEFA Europa Conference League 2022”.
Ne jemi duke jetuar kohë të vështira dhe të pazakonta. Si po i përjeton Shqipëria dhe futbolli shqiptar këto kohë?
Shqipëria ka kaluar një situatë shumë të vështirë për sa i përket pandemisë. Në muajt mars dhe prill të vitit të kaluar ishim në mbyllje totale, kohë në të cilën edhe futbolli u ndërpre. Federata Shqiptare e Futbollit akordoi nga dy paga mujore për çdo individ që jeton me futbollin… futbollistë, trajnerë, arbitra, menaxherë, staf mjekësor dhe stafet administrative të klubeve. Në muajin maj u rikthyem të luajmë nën rregullat e protokolleve shëndetësore, duke arritur të përfundojmë me sukses të gjitha aktivitetet futbollistike të edicionit 2019-2020.
Në të njëjtën kohë sezoni 2020/21 filloi dhe ne nuk kemi anulluar asnjë aktivitet të planifikuar. Profesionistë, amatorë, të rinj dhe të reja, të gjithë këto kategori luajnë dhe stërviten me rregullat dhe protokollet e Covid-19 që janë në fuqi.
Pavarësisht nga kufizimet e dukshme financiare të sjella nga situata, ne kemi arritur të mbijetojmë me aktivitetet tona për shkak të mbështetjes së madhe që UEFA dhe FIFA na kanë dhënë. Shpresoj shumë që të mund të kthehemi në normalitet sa më shpejt që të jetë e mundur.
A ka qenë në gjendje futbolli shqiptar (klube, shoqata, lojtarë) të japin kontribute shoqërore dhe solidare në këtë periudhë?
Për fat të keq Shqipëria vetëm 3 muaj para shfaqjes së Covid-19 në vend mori një goditje të fortë nga një tërmet shkatërrimtar, i cili na mori 54 jetë njerëzish, duke shkaktuar dëme të mëdha në mijëra shtëpi banimi e ambiente biznesi.
Futbolli tregoi një solidaritet të madh duke dhuruar ushqime gjatë ditëve të para të emergjencës. Loja u kujdes shumë për fëmijët e familjeve që ishin prekur; futbollistë profesionistë, përfshirë lojtarë të ekipit kombëtar, dolën atje për të luajtur me fëmijët dhe për t’i argëtuar ata.
Krijuam një fond solidariteti në të cilin kontribuan shumë federata homologe europiane. Do të doja të përfitoja nga ky rast për të shprehur falënderimet e mia të përzemërta për të gjithë ata në emër të popullit shqiptar dhe administratës së federatës, si dhe futbollistëve dhe stafit të ekipit kombëtar. Me këto fonde katër shtëpi të shkatërruara nga tërmeti u ndërtuan nga e para.
Për më tepër, ne ishim mjaft aktivë gjatë periudhës së karantinës marsin dhe prillin e kaluar. Ne arritëm të organizonim lojëra online, konkurse dhe aktivitete për të ndihmuar dhe mbështetur fëmijët që ishin të mbyllur në shtëpi.
Angazhuam stafet teknike të skuadrave kombëtare për të zhvilluar stërvitje online në kushte shtëpie për të gjithë moshat. Një falënderim special shkoi për të gjithë personelin shëndetësor, të cilëve i dhuruam nga një bluzë të ekipit kombëtar, një top si edhe i shpallëm mjekët e spitaleve Covid-19 “Kombëtarja jonë”, në një ceremoni të madhe që zhvilluam në Arenën tonë kombëtare.
Padyshim që ju njohim si administrator të futbollit në Shqipëri, por cili është profesioni juaj?
Profesioni im është ekonomist, jam diplomuar në Universitetin e Tiranës. Pas studimeve të mia, fillova një biznes privat, një iniciativë e cila rezultoi e suksesshme dhe sot unë jam pjesë e botës së biznesit vendas. Aktualisht menaxhoj një portofol të larmishëm të bizneseve.
A keni qenë ju një adhurues i futbollit që në moshë të vogël?
Jam një adhurues i sportit në përgjithësi dhe i futbollit në veçanti, por deri në moshën 19-vjeçare kam luajtur volejboll dhe jo futboll. Kjo mbase edhe për arsye se kam ndjekur shembullin e vëllait tim më të madh, i cili ka qenë një volejbollist shumë i mirë, dhe jo pasionin e babait, i cili ka qenë futbollist në rininë e tij. Futbolli është sporti më popullor në botë dhe normalisht unë e kam ndjekur vazhdimisht si tifoz në shkallët e stadiumit apo edhe nga ekrani i televizorit.
Cili është kujtimi i parë që ju vjen në mendje për futbollin kur keni qenë i ri?
Një ndeshje e Kupës së Kampionëve për klube në vitin 1978 patjetër që më la përshtypje të shkëlqyera – fitorja e Vllaznisë 2-0 ndaj Austrisë Vjenës. Ishte hera e parë që pashë një ekip shqiptar të luante kundër një ekipi evropian dhe ishte një kënaqësi e dyfishtë, sepse ekipi im i preferuar fitoi, dhe unë isha në gjendje ta shikoja ndeshjen në stadium.
A keni luajtur vetë? Keni ndonjë ambicie për të bërë karrierë si lojtar?
Jo, siç e thashë edhe më parë, unë kurrë nuk kam luajtur futboll në një nivel të lartë. Por kur ishim të vegjël, luanim futboll në rrugë. Kalonim katër ose pesë orë në ditë duke luajtur futboll dhe duke folur për super yjet brazilianë si Pele dhe Garrinça. Ashtu si shumica e të rinjve, edhe ëndërronim të bëheshim futbollistë të famshëm.
A keni pasur një lojtar të preferuar – një idhull – dhe ekip të preferuar kur keni qenë i ri?
Patjetër që po. Futbollisti im i preferuar ka qenë i madhi Diego Armando Maradona, mbase dhe për arsye të emrit të njëjtë. Gjithashtu pëlqej ato futbollistë që bëhen të mëdhenj me punë e përkushtim. Skuadra ime e preferuar është Vllaznia në Shqipëri dhe Milani në Europë.
Si u futët në pjesën administrative të kësaj loje? Cila ishte rruga juaj e karrierës në këtë drejtim?
Rrugëtimi im në botën e futbollit, jo më si tifoz, fillon në fund të viteve 90-të, kur unë kam sponsorizuar ekipin e qytetit tim Erzenin, dhe Teutën e Durrësit, qyteti ku jetoj dhe kam një pjesë të bizneseve të mia. Të jem i sinqertë nuk kam patur asnjë lloj ambicie e madje as që e kisha aspiruar ndonjëherë që të bëhesha drejtues i një klubi apo aq më pak i Federatës. Isha shumë i dedikuar dhe i përkushtuar në bizneset e mia, të cilat i menaxhoja me vëllain tim.
Disa miq të mi, drejtues klubesh profesioniste, me propozuan që të kandidoja për postin e presidentit të Federatës. Megjithëse hezitova në fillim, pranova të kandidoja dhe fitova zgjedhjet.
Pasi mora drejtimin e Federatës, jeta dhe angazhimet e mia ndryshuan. Iu përkushtova plotësisht Federatës. Ne ndërtuam një seli të vërtetë për futbollin, arritëm konsolidimin institucional dhe pavarësinë organizative, dhe u angazhuam për zhvillimin e futbollit.
Futbolli shqiptar ka gëzuar suksese të rëndësishme në kohët e fundit, duke përfshirë ndryshime të mëdha në infrastrukturën e stadiumit, ndërtimin e qendrave të reja të trajnimit dhe selinë e re të Federatës dhe kualifikimin e shkëlqyeshëm të ekipit kombëtar shqiptar për finalet e UEFA EURO 2016. Cilat kanë qenë arsyet e këtij progresi?
Vërtetë kemi ndryshuar shumë gjëra. Më është dukur vetja si në ëndërr kur jam gjendur me ekipin kombëtar në Euro 2016. Në të njëjtën kohë më duket e pabesueshme kur futem në stadiumin tonë kombëtar, dhe pyes veten nëse vërtetë e kemi bërë ne këtë. Në fakt nuk është një ëndërr, por një realitet. Është fryt i politikave e strategjive të federatës sonë, i projekteve të përbashkëta e të mbështetura nga UEFA e FIFA dhe një shpërblim për angazhimin dhe profesionalizmin e administratës sonë.
Në këto vite kemi ndërtuar 49 fusha futbolli, 81 fusha mini-futbolli, 59 stadiume janë rikonstruktuar dhe në 8 stadiume kemi financuar sistemet e ndriçimit. Në këto vite përfunduam ndërtimin e 3 stadiumeve të reja e po përmbyllim të katërtin.
Kemi licencuar 1719 trajnerë dhe 68 trajnere, kemi ndërtuar një strategji të qartë për ekipet kombëtare dhe futbollin e fëmijëve. Jemi duke zbatuar një projekt shumë ambicioz për futbollin e femrave, që synon të rrisë përfshirjen e vajzave në futboll.
Projekti ynë i radhës është ai për ndërtimin e 100 fushave stërvitore me bar natyral në të gjithë vendin, një projekt jetik për ne duke parë numrin e lartë të fëmijëve të interesuar për të luajtur sportin më të dashur të shqiptarëve. Kur shikon dashurinë e vajzave dhe djemve për futbollin, nxitesh e motivohesh të bësh më shumë dhe më mirë çdo orë, çdo ditë dhe çdo muaj.
Shqipëria do të mirëpresë finalen e parë të kompeticionit më të ri të UEFA Europa Conference League në 2022… ju duhet të jeni shumë krenarë për këtë.
Padyshim që ndihemi krenarë. Ky ishte një lajm i madh për Federatën, për futbollin, por edhe për të gjithë Shqipërinë. Nga pritja e një eventi të përmasave të tilla do të përfitojë mbi të gjitha Shqipëria. Po përgatitemi me shumë seriozitet dhe finalja e parë e këtij kompeticioni në Tiranë do të jetë një moment historik. Ne do të organizojmë një finale të cilësisë më të lartë. Detyra nuk përfshin vetëm organizimin e një ndeshje futbolli – puna do të përfshijë gjithashtu stadiumin, infrastrukturën, transportin, hotelet, etj. Unë besoj fort se do të kemi sukses dhe do të demonstrojmë edhe një herë kontributin e Shqipërisë në futbollin evropian. Shqipëria dhe shqiptarët janë të njohur për mikpritjen e tyre dhe ata do të kenë mundësinë ta tregojnë atë.
Cila është ndeshja më e mirë që keni parë ndonjëherë?
Ndeshja më dramatike ka qenë finalja e Champions League në vitin 2005 mes Milanit e Liverpulit e luajtur në Stamboll, kur Liverpool riktheu disavantazhin prej tre golash për të fituar trofeun pas gjuajtjeve të penalltive. Sa i përket ekipit kombëtar, kujtimi im i preferuar është fitorja fenomenale e Shqipërisë 2-1 ndaj Greqisë menjëherë pasi ekipi grek ishte shpallur kampion i Europës duke fituar “EURO 2004”.
Po goli më i bukur që keni parë ndonjëherë?
Në fakt, kam parë shumë gola të bukur, por ai që më ka shijuar më shumë ka qenë goli i shënuar nga mbrojtësi Mërgim Mavraj në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena” kundër Armenisë (në eliminatoret e EURO 2016). Ishte i bukur, pasi ishte shumë i rëndësishëm për rrugëtimin tonë drejt finaleve të Europianit “Francë 2016”.
Duke parë ekipin tuaj kombëtar, a entuziazmoheni akoma kur ata shënojnë një gol?
Para çdo ndeshjeje mendoj që nëse shënojmë nuk do të entuziazmohem shumë, por në asnjë rast nuk e kam mbajtur premtimin që i kam bërë vetes. Përsëri kam festuar si i çmendur. Futbolli është magjik, por në pozicionin tim sigurisht magjisë i shtohet përgjegjësia.
A ka ndonjë person që ju ka frymëzuar në jetën tuaj?
Jam përpjekur të ndjek shembuj të mirë në fusha të ndryshme të jetës. Kjo vlen si për biznesin ashtu edhe për administrimin e futbollit. Në aspektin tim si familjar, modeli që më ka ndikuar më shumë është ai i prindërve të mi, të cilët më kanë injektuar fort vlerat e pranisë, angazhimit dhe harmonisë në familje. Jam krenar për këtë.
Kush është personi më i veçantë që keni takuar?
Kam takuar shumë njerëz të veçantë, kryesisht nga bota e futbollit, por të jem i sinqertë kur më ka kërkuar takim për herë të parë Mishel Platini nuk kam fjetur gjithë natën. Ishte një emër shumë i madh i botës së futbollit dhe më dukej e pabesueshme që më kishte kërkuar takim. Në atë kohë ai nuk ishte një drejtues, por thjesht një futbollist i madh.
Si relaksoheni dhe shkëputeni nga futbolli? Ndonjë hobi të veçantë?
Jeta ime e përditshme është vërtetë e ngarkuar e në aktivitet intensiv mes futbollit e biznesit. Duke qenë dhe një detajist në këto aspekte, më mbetet shumë pak kohë për t’u relaksuar. Gjatë verës duke qenë se jetoj pranë bregdetit relaksohem në det, por gjëja që më pëlqen më shumë është peshkimi, edhe pse nuk e bëj dot aq shpesh sa do të doja.
A jeni krenar që jeni në gjendje të kontribuoni në zhvillimin e UEFA-s, veçanërisht në nivelin më të lartë si anëtar i Komitetit Ekzekutiv? Si e shihni përparimin e vazhdueshëm të UEFA-s si organizatën ombrellë të futbollit evropian?
Jam shumë krenar për këtë. E vlerësoj shumë besimin e kolegëve dhe mundohem të jap më të mirën time, duke dashur të sjell eksperiencën dhe problematikën e vendeve të mesme e të vogla në Komitetin Ekzekutiv. UEFA është një organizatë me një demokraci perfekte, ku në nivelet më të larta krijon hapësira përfaqësimi edhe për shtetet të vogla si Shqipëria. Jam dëshmitar okular i ndryshimeve e përparimeve të mëdha të organizatës sonë, me vizion e ide të qarta.
Roli i saj është determinant për zhvillimin e futbollit në Europë dhe në federatat anëtare. Mbështetja e dhënë për vendet anëtare të mesme dhe të vogla është jetike për vendet anëtare të vogla, të cilët nuk do të kishin arritur shumë pa ndihmën e UEFA-s.
Si e kanë ndihmuar Shqipërinë programet e UEFA’s HatTrick dhe Grow?
Ndryshimet e mëdha infrastrukturore të ndodhura në futbollin shqiptar në dy dekadat e fundit janë fryt i ndihmës së jashtëzakonshme të programit HatTrick. Falë këtij programi arritëm të ndërtojmë qendrën e parë stërvitore të ekipit kombëtar, përmirësuam gjendjen e mbi 12 stadiumeve në të gjithë Shqipërinë, arritëm të vendosim sisteme ndriçimi në shumë stadiume.
Sot falë këtij programi ne kemi 3 stadiume të reja dhe në përfundim një të katërt. Impakt shumë të madh kanë pasur fushat stërvitore që kemi ndërtuar anembanë Shqipërisë.
Sot ne kemi më shumë futbollistë të talentuar në kategoritë e futbollit tonë dhe si rrjedhojë edhe në ekipet kombëtare kjo vjen falë atij investimi të madh që është bërë. Projekti Grow na ka ndihmuar shumë në një ndër shtyllat e strategjisë sonë për rritjen e futbollit shqiptar. Futbolli i fëmijëve dhe ai i vajzave janë prioritetet tona të këtij katër vje?ari. Ky projekt u shtri në 286 shkolla 9-vjeçare dhe më shumë se 20 mijë fëmijë e patën kontaktin e parë me futbollin nga Grow.
Sot ne ndjekim ecurinë e tyre, duke parë që shumë prej fëmijëve që e nisën rrugëtimin në botën e futbollit nga shkollat ku u implementua projekti janë pjesë e akademive të futbollit. Nuk mund të mos e shpreh vlerësimin tim maksimal për punën dhe impaktin direkt që kanë pasur në Shqipëri këto dy projekte të mëdha të UEFA-s.
Sa i rëndësishëm mendoni ju se është respekti & “Fair Play” në futboll?
Respekti te ne fillon nga lart. Mënyra si ne anëtarët e UEFA-s respektojmë njëri-tjetrin, e sidomos vendet me futboll më të zhvilluar ndaj të tjerëve me më pak të zhvilluar, dhe nga mënyra sesi lidershipi i UEFA-s respekton mendimet e propozimet e anëtarëve.
Ky respekt është një nga faktorët që e bën këtë UEFA-n të suksesshme, që të përparojë çdo ditë e që i bën njerëzit të ndjehen mirë e të lirshëm për të dhënë kontribut.
Kam bindjen se secili anëtar e aktor i lojës sonë në botë është i bindur për rëndësinë e respektit dhe Fair Play. Dhe, sigurisht, ne nuk duhet të mendojmë asnjëherë se kemi bërë mjaftueshëm, e nuk duhet të rreshtim për rrënjosjen e tyre në mendjen e gjithsecilit.
Nëse do të kishit një dëshirë për futbollin në përgjithësi në të ardhmen, cila do të ishte?
Dëshira ime më e madhe është që futbolli të mbetet sa më shumë ‘bio dhe organik’ dhe të mos pësojë ndryshime.
Dhe për futbollin në Shqipëri?
Loja jonë është më e dashura e më e ndjekura në Shqipëri dhe duke u nisur nga dashuria e popullit tim për futbollin, dëshiroj t’i plotësojmë ëndrrat e tyre. Në veçanti, unë dua të shoh sa më shumë vajza dhe djem të argëtohen duke luajtur. Ky vizion është pasioni im dhe objektivi im personal.